Agim Veliu reagoon pas mos-përfshirjes në listën e kandidatëve të LDK-së: “Ky është vetëm fillimi”
Ish-ministri dhe ish-kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka reaguar ashpër pas mos-përfshirjes së tij në listën e kandidatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në një deklaratë drejtuar anëtarëve dhe simpatizantëve, Veliu e cilësoi vendimin si “padrejtësi të pashembullt” dhe jo si vendim politik, por si “manovër të ulët” të individëve brenda partisë.
Veliu tha se përjashtimi i tij nga lista nuk lidhet me performancën apo votën, duke theksuar se “nuk ka humbur asnjë garë” në karrierën e tij politike. Sipas tij, vendimi është rezultat i frikës nga “fuqia e tij elektorale” dhe integriteti që ai thotë se e ka dëshmuar ndër vite.
“Ky vendim nuk më nëpërkëmb mua, por fyen drejtpërdrejt votuesin që gjithmonë më ka mbështetur,” u shpreh Veliu, duke shtuar se nuk do të tërhiqet dhe se do të kërkojë transparencë dhe drejtësi “deri në fund”.
Ai paralajmëroi se reagimet e tij nuk përfundojnë me këtë deklaratë, duke e mbyllur mesazhin me fjalët: “Ky është vetëm fillimi.”







