Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi në një postim në Facebook, ka shkruar se Kosova ka shënuar gjatë këtij viti rritje ekonomike, të eksporteve, të hyrave doganore, të hyrave tatimore, të investimeve të huaja direkte, rritje të rezervave shtetërore dhe rritje të punësimit.
“Kemi shpërndarë mbi 200 milionë euro vetëm përmes pakove të Ringjalles Ekonomike dhe asaj të Përballjes me Inflacionin”, tha Bislimi.
Më tej ai ka shtuar se kanë shënuar progres në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, ku janë miratuar në Qeveri e Parlament numri më i lartë ndonjëherë i ligjeve dhe projektligjeve në kuadër të agjendës evropiane dhe zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.
Zv. kryeministri përmendi se vendi ynë, ka aplikuar këtë vit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, e së fundmi në muajin dhjetor kanë dorëzuar dhe aplikimin për anëtarësim në BE.
Sipas tij pas vitesh të pritjeve të shumta, tashmë kanë ecur përpara në çështjen e liberalizimit të vizave, ku pas përfundimit të hapave të fundit të mbetur, qytetarët tanë do të mund të lëvizin pa viza, më së largu me 1 janar 2024.
“Arritjet e sukseset e Qeverisë, u vërtetuan edhe në Raportin për Vendin 2022, i cili ishte më i miri ndonjëherë për Kosovën. U përballëm dhe me tentativat destabilizuese nga fqinji ynë verior, të cilat i përballuam me sukses e vendosmëri”, tha Bislimi.
Zv. kryeministri theksoi se Kosova është kontribues i stabilitetit, paqes, vlerave demokratike e fqinjësisë së mirë. Jemi eksportues të demokracisë, në rajon e Evropë.
“Kemi shënuar të arritura të shumta gjatë këtij viti, por e dimë që ka ende punë për të bërë. Përpara, drejt një viti tjetër plot përkushtim, angazhim e suksese të reja”, tha zv. kryminitsri Bislimi.







