Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova dëshiron normalizim të marrëdhënieve me Serbinë por që ajo, sipas kreut të Qeverisë është gjithnjë e më abnormale.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë edhe partnerë edhe aleatët tonë andaj ne do të bashkëpunojmë ngushtë në mënyrë që të bëhet normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, por duhet ta kuptojmë që kemi një Serbi gjithnjë e më abnormale, pra ndërkohë që ne dëshirojmë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, ky vit që posa lamë pas është vit i abnormalizimit të mëtutjeshëm me Serbinë”, ka thënë ai të martën pas përfundimit të takimit që ka mbajtur me kryetarët e komunave.
Kurti ka theksuar se Serbia e ka refuzuar planin franko-gjerman dhe sipas tij të gjithë do të duhej të merren me të, meqë Qeveria e Kosovës e ka konsideruar të njëjtin si bazë të mirë për diskutim.
Një ditë para se në Kosovë të arrijë këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, Kurti ka thënë se vizita e tij është më shumë se e mirëpritur dhe sipas tij vjen në një moment të rëndësishëm kur po afrohet njëvjetori i invazionit rus në Ukrainë.
Kurti ka thënë se agresioni ushtarak atje ka pasur pasoja edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke përmendur këtu Serbinë e cila nuk i ka vendosur sanksione Rusisë por ka bërë marrëveshje me ta. /ksp







