Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Atdhe Arifi, i cili bashkë me Astrit Deharin dhe të tjerët ishte akuzuar për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës, para gjykatës ka folur për gjykimin ndaj tij dhe për shokun e tij Astrit Deharin.
Në fjalën e mbrojtjes para trupit gjykues, të cilën e ka siguruar Portali Dukagjini, Arifi, ka thënë se shkaqet juridike që i përmban aktakuza nuk qëndrojnë.
Arrestimin e tij dhe të shokëve të tij, Arifi e ka quajtur skandaloz dhe se sipas tij është bërë “vetëm pse e kanë kundërshtuar ose e kundërshtojnë servilitetin, nepotizmin e korrupsionin”.
Sipas Arifit, ata po akuzohen vetëm për shkak se kishin qenë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Tutje, Arifi ka folur edhe për rastin eAstrit Deharit, për të cilin tha se nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk e zbardhë atë, ajo do të rrëzohet apo rrënohet, njësoj ashtu sikurse që u ngrit.
“Populli shqiptar, në veçanti ai i Kosovës, Astritin e njeh si njeriun i cili për së vdekuri e rriti dhe ia fitoi zgjedhjet VETËVENDOSJES!, por mos harroni për aq sa e njoh unë si Atdhe politikën, nëse Lëvizja e tij, aktivist i së cilës ishte deri sa u mbyt dhunshëm, nuk ia zbardh rastin ai për së vdekuri do ta rrëzoj apo rrënoj këtë Lëvizje, ashtu siç e ngriti”, ka thënë ai.
“Më falni për emocionet, por nuk jam prej atyre që i vajtoj shokët vetëm para zgjedhjeve ose kur ta kanë përvjetorin. Unë nuk jam aq i pasur as nuk kam me qindra hektarë tokë, por deri në vdekje më dhimbset çdo m2 e territorit të shtetit e kombit tim. Prandaj Kosova e shqiptaria nuk do ta harroj kurrë Astrit Deharin”, vijon fjala e tij.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) në dhjetor të vitit 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër Frashër Krasniqit, Atdhe Arifit, Egzon Halitit dhe Adea Batushës, të cilët i akuzon për kryerjen e veprës penale të terrorizmit.
Ndaj katër aktivistëve të Vetëvendosjes, PSRK-ja ka ngritur aktakuzë, katër muaj pasi të njëjtit, bashkë me tani të ndjerin Astrit Dehari, u arrestuan si të dyshuar për sulmin e 4 gushtit 2016, ndaj objektit të Kuvendi të Kosovës, por që Dehari kishte vdekur në nëntor të vitit 2016 në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren.







