Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ditën e djeshme përkujtoi politikanin serb, Oliver Ivanoviq, në pesë vjetorin e vrasjes së tij, duke thënë se ai ishte person i përkushtuar ndaj komunitetit të tij dhe “i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij, ishte përshkrimi që kryeministri i bëri ish-drejtuesit të “Rojave të Urës”.
Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord, shton tutje shefi i ekzekutivit kosovar, që si opozitar Ivanoviqin edhe vetë e konsideronte kriminel lufte.
Kjo deklaratë e Kurtit ka shkaktuar reagime të shumta nga opozita, por edhe nga bashkëpartiakë të tij.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se Kryeministri Kurti thur elozhe për Oliver Ivanoviqin, të cilin dikur e akuzonte për vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve në Mitrovicë gjatë periudhës së luftës.
Por, se Kurti ka një lexim të ndryshëm e të mbrapshtë të historisë së vendit, nga se është e vërteta, e tha Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Ky i fundit tha se Kurti e përkujtoi Ivanoviqin me epitete që nuk i paska ditur askush, përveç tij.
“Me këtë rast, Kryeministri dje iu dëshmoi qytetarëve të Kosovës se ai ka një lexim krejt të ndryshëm e të mbrapshtë të historisë politike të vendit, ndryshe nga populli, ndryshe nga e vërteta”, u shpreh Tahiri.
Por, me këtë deklaratë të kreut të ekzekutivit nuk u pajtua as Vlora Çitaku, nënkryetarja e PDK-së, e cila tha se “ka mohim të fjalës për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe elozhe për Oliver Ivanoviqin”.
Haxhiu gjithashtu tha se përkujtimi për Ivanoviqin Qeveria mund ta bëjnë në emër të poshtërsisë së tyre, por jo në emër të Qeverisë së Kosovës dhe popullit të Kosovës.
Por, Kurtit i doli kundër edhe bashkëpartiaku i tij, deputeti, Haki Abazi.
Ky i fundit madje pyeti Kurtin se si i erdhi radha Oliver Ivanoviqit para veprimtarëve të çështjes kombëtare.
Por, përkujtimin që bëri Kurti në pesë vjetorin e Ivanoviqit, e pa të rrugës t’a arsyetonte deputeti i VV-së, Armend Muja.
Lidhur me këtë deklaratë të Kryeministrit ka reaguar edhe dëshmitari kryesor në rastin e Ivanoviqit, qytetari nga Mitrovica, Isa Mustafa.
“Sikur të ishte deklaratë personale e një njeriu do të ishte diçka tjetër, por është deklaratë e kryeministrit të vendit dhe nuk është deklaratë e mirë për shkak se dihet çka ka bërë Oliver Ivanoviqi gjatë dhe pas luftës në Mitrovicë. S’më ka ardhur mirë ajo deklaratë për ta mbrojtur, ku dihet se ka edhe një vendim gjykate në lidhje me ngjarjet e 14 prillit të vitit 1999 ku Ivanoviqi ishte urdhërdhënësi”, ka thënë Mustafa të martën për Gazetën Online Reporteri.net.
Ivanoviq ishte i dënuar me 9 vjet burgim në vitin 2014 nga një trup gjykues i EULEX-it në Gjykatën Themelore në veri të Mitrovicës, pasi ishte shpallur fajtor për krime lufte të kryera në prillin e vitit 1999. Rasti ndaj tij ishte kthyer në rigjykim nga Apeli në vitin 2017, për të mos mos marrë epilog për shkak të vrasjes së ish-deputetit serb të Kuvendit të Kosovës.
Politikani serb i Kosovës u vra më 16 janar 2018, pranë zyrës së partisë së tij në Mitrovicë të Veriut.
Për vrasjen e udhëheqësit të grupit “Rojet e Urës”, Gjykata Themelore në Prishtinë javën e kaluar ka aprovuar propozimin e avokatit për dëgjimin e pesë dëshmitarëve.
Në rasti, për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit akuzohen Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara.
Të hënën, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti duke e përkujtuar vrasjen e Oliver Ivanoviqit, nder tjera politikanin serb të Kosovës i dënuar për krime lufte në Mitrovicë, e përshkroi si “i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord”.
“Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike”, tha Kurti nder tjera për Oliver Ivanoviqin në një adresim me video, ku fliste në gjuhen serbe, derisa përkthej fjalimi i tij edhe në shqip e anglisht.
“Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij”. /Reporteri.net/.







