Në minutën e 88-të, Altin Azemi hyri në lojë në vend të Liridon Mulajt. Për 15-vjeçarin ky ishte sukses i madh. Po debutonte në moshë shumë të re në ekipin e kategorisë së dytë zvicerane.
Por talenti i madh la gjurmë të pashlyera në ndeshjen e së hënës mbrëma. Në minutën e 94-t Neuchatel Xamaxi fitoi goditje dënimi. Përgjegjësinë për të gjuajtur e mori pikërisht 15-vjeçari shqiptar. Ai shënoi gol të bukur për fitoren 6:2 ndaj Schaffhausenit dhe për të shkruar histori në Challenge League e rrjedhimisht edhe në futbollin zviceran.
Altin Azemi është tregimi i ndeshjes të së hënës. 15-vjeçari u zëvendësua në minutën e 88-të dhe bëri debutimin profesional. Lojtarit të Zvicrës U16 nuk i është dashur kohë për ngrohje. Vetëm gjashtë minuta pas aktivizimit, ai mori topin për goditjen e dënimit. E dërgoi topin mbi murin e gjallë për 6:2. Festa ishte e zjarrtë. Pasi Azemi e hoqi fanellën e tij dhe e mbajti lart si Lionel Messi, ai e mori kartonin e parë në debutim. Me 15 vjet, 11 muaj dhe 2 ditë, Azemi tani është golashënuesi më i ri në histori të Challenge League. Ai e kalon rekordin që e mbante Valon Duzhmani për gati 19 vjet. Duzhmani, tani 35-vjeçar shënoi për Kriensin në korrik të vitit 2006, kur i kishte 16 vjet, 5 muaj e 2 ditë”, shkruan mediumi zvicerane, “bluewin.ch”.
Azemi ka dy paraqitje për Zvicrën U15 dhe nëntë të tjera për Zvicrën U16. Për këtë të fundit i ka realizuar dy gola.
Në ligën e 17-vjeçarëve i ka katër gola në 13 paraqitje këtë edicion. Ka dy paraqitje edhe në ligën e 19-vjeçarëve në Zvicër. Por me debutimin përballor ka bërë hap të rëndësishëm në karrierë.
Azemi është vetëm talenti shqiptar i radhës që po rritet në futbollin zviceran. Vazhdimisht në klubet zvicerane dalin futbollistë të talentuar shqiptarë.
“Mbrëmja ishte e përkryer. Dhe u bë e mahnitshme. Azemi bëri debutimin duke fituar pak minuta në fushë. Bashkëlojtarët e tij ia lejuan goditjen e fundit të dënimit në kohën shtesë. Gjuajtje e tij ishte si e lojtarëve me përvojë dhe gjeti këndin e portës. Ndeshja e parë, goli i parë dhe kartoni i parë për djaloshin që nuk ka mundur të përmbahet dhe hoqi fanellën e tij”, ka shkruar sajti zyrtar i Xamaxit.
Për golin dhe rekordin e Azemit kanë shkruar edhe mediat tjera zvicerane. Pjesë e Xamaxit janë shqiptarë të shumtë si Lavdrim Hajrullahu, Shkëlqim Demhasaj, Liridon Mulaj e Samir Ramizi. Kështu që talenti i madh do ta ketë ambientin e duhur për zhvillim të mëtejmë.