Përgjatë vitit të kaluar (2024) në vendin tonë janë regjistruar 21 mijë e 838 aksidente, duke përfshirë kështu aksidente me dëme nga 13.854, me lëndime 7.896 e me fatalitet 88.
Në po të njejtën periudhë, janë shqiptuar 711.953 gjoba trafiku.
Si dhe 96 persona kanë vdekur si pasojë e aksidenteve.
Kështu bën të ditur për GazetaBlic, Policia e Kosovës.
Por, me të gjitha këto aksidente, eksperti i komunikacionit, Muhamed Krasniqi i sheh alarmuese.
Ai në një përgjigje dhënë për GazetaBlic, tha se kjo situatë e krijuar kërkon ndërhyrje urgjente për të parandaluar lëndimet dhe humbjen e mëtejshme të jetëve të qytetarëve tonë, por edhe në ndaljen e dëmeve materiale.
Sipas tij, një ndër shkaktarët kryesorë se pse po ndodhin aksidente të shpeshta është përdorimi i telefonit mobil gjatë ngasjes.
“Shkaktarët kryesorë të aksidenteve kryesisht janë: Shpejtësia e lartë, përdorimi i telefonit mobil gjatë ngasjes, mungesa e manipulimit të sigurt me mjetin motorik, drejtimi në gjendje të dehur apo nën ndikimin e substancave, gjendja teknike e automjeteve, infrastruktura rrugore e papërshtatshme, sjellja e këmbësorëve dhe mosrespektimi i rregullave të trafikut, etj.”, u shpreh ai.
E, eksperti i komunikacionit kërkon që zbatimi rigoroz i ligjit nuk duhet te ketë kompromis dhe duhet që fushatat e ndërgjegjësimit publik të jenë veprime te vazhdueshme.
“Unë mendoj se në zbatimin rigoroz të ligjit nuk duhet të ketë kompromis dhe duhet që fushatat e ndërgjegjësimit publik të janë veprime të vazhdueshme. Përmirësimi i infrastrukturës rrugore e sidomos plotësimi i shenjezimit dhe sinjalizimit ekzistues te rrugëve duhet te vazhdoj akoma. Sigurimi i cilësisë në aftësimin e kandidatëve dhe përpjekjet edhe më të mëdha për rregull dhe rend në qendrat e testimit të kandidatëve në mbarë vendin”, potencoi ai.
Tutje, Krasniqi ka një thirrje: “Thirrja ime kryesore do të ishte, që secili prej nesh të kuptojmë se siguria rrugore është përgjegjësi e të gjithëve. Duke kuptuar drejt këtë përgjegjësi, ne do të krijojmë një kulture të re, ku përgjegjësia dhe respekti për jetën janë në qendër”, përfundoi ai.
E, aksidente të shpeshta ndodhën edhe me fillimin e këtij viti, ku pati edhe të vdekur.
Njëri në aksin rrugor Lipjan-Shtime, ku mbeti i lënduar një person, ndërsa tjetri në fshatin Prelez i Jerlive në Ferizaj, me ç’rast nga vetaksidenti mbeti i vdekur një 37-vjeçar./Gazeta Blic/