Kur në vitin 2005 Sekretarja Amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, kishte dhënë njoftimin se do ta caktojë Frank G. Wisner si të dërguar special të SHBA-ve në “Bisedimet për Statusin e Kosovës”, shqiptarëve u kishte pëlqyer shumë kjo zgjedhje. Wisner ishte i njohur, edhe si emër edhe si familje.
Babai i tij, Frank Wisner i vjetri, ishte një nga oficerët themelues të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane (CIA-s).
Wisner i ri në anën tjetër ishte diplomat veteran i SHBA-ve me role të ndryshme brenda departamentit të shtetit që nga viti 1961.
Por, në Kosovë ia kishin dëgjuar emrin edhe për një gjë tjetër – qëndrimin se s’ka kthim mbarma dhe Kosova duhet të shpallet shtet i pavarur.
Përtej të gjithave, “është gjëja e drejtë që duhet bërë”, thoshte Wisner.
Angazhimi i tij si i dërguar special do merrte fund në vitin 2008, kur tashmë shpallja e pavarësisë ishte çështje e kryer.
Në një intervistë për gazetarin Bernard Gwertzman, dhënë me 12 shkurt në po atë vit, Wisner kishte parashikuar dy gjëra.“ Serbia nuk do ta njohë formalisht Kosovën”, kishte deklaruar Wisner, por në vështrimin e tij, kjo s’do të pengonte aspak procesin integrues të Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë, madje do ndodhte shpejt, sepse shqiptarët e serbët do mësoheshin ta pranojnë realitetin e ri përkundër se nuk do të zyrtarizohej si qëndrim nga Serbia.17 vjet prapa, duke folur për Albanian Post, Wisner çuditet nga dy gjëra.
Ai s’mund ta kuptojë dot se si proceset integruese nuk ecën më shpejt dhe pse Kosova e do me patjetër njohjen formale nga Serbia në marrëveshjen përfundimtare, nëse ajo marrëveshje do i jepte fund problemit dhe “do i mësonte fillimisht serbët e shqiptarët të jetojnë krah për krah”.
“Nuk e kam besuar kurrë se do të duhej kaq shumë kohë për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes Serbisë dhe Kosovës kur negociatat përfunduan në vitin 2007”, deklaron Wisner, dhe në të njëjtën kohë kujton parashikimin e tij, duket shtuar se e ka ditur qysh atëherë se “Serbia nuk do të pajtohej lehtë ose shpejt me pavarësinë e Kosovës”.
“Nuk e besoja (se Serbia do ta njeh Kosovën) sepse opinioni serb ishte aq i unifikuar rreth qëndrimit kundër për pavarësinë e Kosovës”, deklaroi ai në një intervistë për Albanian Post.
Por, as atëherë e as tash Wisner s’e kishte parë si punë të madhe këtë çështjen e njohjes.
“Mendova se të dyja palët do të gjenin një mënyrë për të jetuar krah njëri-tjetrit”, thotë ai “fatkeqësisht kjo nuk është vërtetuar të jetë çështja”.
“Por, akoma mendon njëjtë. Meqë s’bëhet dot një zgjidhje me njohje, atëherë “shoh një zgjidhje të pjesshme dhe kjo është nëse të dyja palët mund të bien dakord të jetojnë krah për krah pa e njohur formalitetin e sovranitetit”.
Wisner është i bindur se edhe kështu “ka një rrugë përpara”.
Vizioni i sotëm i diplomatit amerikan është se “është e mundur që Kosova dhe Serbia të gjejnë gjuhën e përbashkët, me të cilën mund të bëjnë tregti, të udhëheqin çështjet kulturore, mund të bëjnë shkëmbime shkencore, mund të kryejnë transaksione financiare dhe investime, mund të lejojnë hapjen e rrugëve dhe të lëvizin”.
“Unë besoj se kjo do të ishte e mundur”, deklaron ai, duke shtuar se, “por nuk mund të bëhet nëse Kosova insiston që Serbia të sigurojë njohjen e pavarësisë”.
Për më tepër, Wisner e ka bindje gjithashtu që “Serbia as nuk do t’i sigurojë Kosovës hyrje të lehtë në Organizatë e Kombeve të Bashkuara”.
“Pra, nëse dikush është i përgatitur të pranojë zgjidhje praktike ajo mund të gjendet, nëse dikush dëshiron të gjejë sovranitet në OKB nuk mendoj se zgjidhjet janë të mundshme”.
Për Wisner arritja e një pajtimi final s’është se do u bënte mirë veç dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, por do ta prosperonte “të gjithë rajonin”. Marrëveshja dhe shkëmbimet e më pasme “i shtyn ata të jetojnë krah për krah në paqe”.
Dhe përkundër se Serbia nuk do e njihte formalisht Kosovën, ai deklaron se “megjithatë mëson të jetojë me Kosovën e pavarur”.
“Korniza e re”: Një punë e mirë, sipas Wisner
Më 18 shtator Albanian Post publikoi një dokument që përmban kornizën e re franko-gjermane.
Sipas saj, në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.
Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.
Wisner thotë se e ka parë publikimin dhe i ka pëlqyer çfarë ka lexuar, gjithsesi, fakti që zyrtarisht nuk e ka pranuar autorësinë as Bashkimi Evropian dhe as ndonjë shtet tjetër i fuqishëm perëndimor, paraqet problem.
“Unë e kam parë publikimin/dokumentin, por kam jashtëzakonisht paqartësi për statusin e tij. Siç e kuptoj, BE-ja nuk e ka konfirmuar që dokumenti është një reflektim i mendësisë aktuale të BE-së. Dokumenti në vetvete është një punë e mirë. Do të doja të merrej nga të dyja palët dhe nga BE-ja me mbështetjen amerikane, por në këtë moment duket si jetim, pa nënë dhe pa baba”, deklaroi Wisner në këtë intervistë.
“Unë jam fans i madh i teorisë së zgjidhjes gjermano-gjermane. Me fjalë të tjera, për sa kohë që ju e përcaktoni gjerësisht dhe nuk përpiqeni të kopjoni zgjidhjen gjermano-gjermane identik të shumë viteve më parë – sepse zgjidhja gjermano-gjermane ishte shumë precize dhe parashikonte anëtarësimin në OKB si të Gjermanisë Lindore ashtu edhe të Gjermanisë Perëndimore”.
Por, në rastin e Kosovës dhe Serbisë, për Wisner-in, pajtimi për anëtarësim në OKB është punë që s’bëhet.
“Kjo nuk do të jetë e mundur në rastin Kosovë-Serbi, Serbia nuk do të pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe (shto këtu) mundësinë e Rusisë për të vënë veton, nuk ka gjasa që Kosova të sigurojë atë anëtarësim”.
Por, “nëse zbret në bashkëpunimin praktik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, atëherë amerikani thotë se “zgjidhja gjermano-gjermane është një zgjidhje shumë e mirë dhe do t’i hapte dyert për një bashkëpunim më të madh mes dy vendeve, do të lehtësonte hyrjen e tyre në BE dhe përderisa do ta shtynte për disa kohë njohjen formale të sovranitetit të njëri-tjetrit, është një çmim që ia vlen të paguhet për të ecur përpara”.
Një skenarë i tillë, sipas Wisner, “do të rriste bashkëpunimin” dhe po ashtu do të mundësonte “për t’u larguar nga situata e rrezikshme në të cilën po tërhiqen aktualisht (dy shtetet) nga mosmarrëveshja Kosovë-Serbi”.