Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që të shkarkohet nga detyra Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari.
Shefi i grupi parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri në seancën e Kuvendit ka thënë se asnjëherë nuk ka pasur ministër që ka qëndruar në detyrë e që ka qenë e dënuar për mosdeklarim të pasurisë, shkruan Reporteri.net.
Tahiri ka thënë se si PDK nuk do të votojnë asnjë iniciativë apo marrëveshje që vjen nga kjo ministre, përderisa ajo nuk shkarkohet.
“Është ministrja e parë në Republikën e Kosovës që e mban Qeveria Kurti e cila nuk e ka deklaruar pasurinë. Asnjëherë nuk ka pasur ministër që ka qëndruar në detyrë e që ka qenë e dënuar për mosdeklarim të pasurisë.
Është po kjo ministre, kur në kohën e saj Serbia shënon rekord të importimit të mallrave në Kosovë.
Kjo ministre duhet të shkarkohet sepse është ofendim për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Sot nuk ka gjë më të rëndësishme sesa nxjerrja në pah e një skandali që ndodh me një ministre që dënohet për mosdeklarim të pasurisë dhe në anën tjetër na kërkohet të flasim për tema të tjera. Është shumë e rëndësishme që kjo ministre të japë dorëheqje. Ne si grup parlamentar asnjë iniciativë apo marrëveshje që vjen nga kjo ministre nuk do ta votojmë”, ka thënë Tahiri në seancën e Kuvendit. /Reporteri.net







