Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas ardhjes në Prishtinë të pesëshes ndërkombëtare që takimin me kryeministrin Albin Kurti e kanë nisur që nga ora 10:00.
Hoti tha se sot është ditë e rëndësishme që bashkë me aleatët, të definohen hapat në procesin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke në mes Kosovës e Serbisë.
“Marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, që ruan karakterin unitar të shtetit të Kosovës, që i adreson të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve një herë e përgjithmonë në mënyrë që dy vendet të rrugëtojnë drejt integrimit evropian.
Shpresoj që Qeveria dhe ekipi negociator kanë përgatitur planin e tyre dhe propozimet për emisarët për dialog që sot janë në Prishtinë”, është shprehur Hoti, shkruan Reporteri.net.
Ai, gjithashtu ia dha edhe një këshillë tjetër qeverisë, duke i thënë që të koordinohet me aleatët dhe të mbahen në parimet që duhet respektuar në negocimin e marrëvehsjes.
“Mos bëni kompromis në qëllimet e dialogut, por gjeni modalitetet e nevojshme për arritjen e marrëveshjes”, tha ai.
Kujtojmë se që në mëngjes, delegacioni i pesëshes ndërkombëtare, i përbërë nga emisari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Esobar, i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, këshilltari për politikë të jashtme dhe siguri i Gjermanisë, Jens Plettner, ai i Francës, Emmanuel Bonne dhe këshilltari për politikë të jashtme dhe siguri të kryeministres së Italisë, Francesco Talo vazhdojnë të jenë në zyrën e kryeministrit Kurti, në takimin që ka nisur rreth dy orë më parë.







