Të premten kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, për dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Kjo bisedë telefonike mes Kurtit dhe Chollet zhvillohet tre ditë para se kryeministri kosovar dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të zhvillojnë rundin e ri të bisedimeve në Bruksel.
E rreth asaj se çka u bisedua në mes Kurtit e Cholletit, ka treguar vet Këshilltari i Departamentit të Shtetit.
Përmes një cicërrime në Twiter, Chollet theksoi seme Kurtin floën rreth Asociacionit.
“Shpreha qëndrimin se është koha për të diskutuar për Asociacionin e Koumunave serbe. Si Kosova, ashtu edhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet të cilat tashmë i kanë nënshkruar gjatë procesit të dialogut”, shkroi Chollet në Tëitter.
Chollet u shpreh gjithashtu se të dyja palët duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog.
“ShBA-të mbështesin një takim konstruktiv që afirmon përkushtimin e të dyja palëve ndaj propozimit të BE-së”, është shprehur Chollet.
E ndërkohë, nga zyra e kryeministrit dje kanë njoftuar për bisedën e Kurtit me Chollet.
Sipas njoftimit, Kurti i ka thënë Cholletit se për raporte normale me Serbinë, përveç njohjes reciproke, që sipas tij duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje finale, “duhet t’i konsiderojmë edhe të drejtat e pakicave kombëtare”.
“Gjatë kësaj bisede, kryeministri konfirmoi qëndrimin e tij për propozimin evropian si bazë të mirë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kurtit.
E nga Departamenti amerikan i Shtetit deklaruan më 23 shkurt se presin që Kurti dhe Vuçiq t’i qasen takimit të së hënës në Bruksel “me frymë konstruktive të nevojshme për të ecur përpara”.
Propozimi i BE-së nuk është bërë publik.







