Glauk Konjufca, kryetar i kuvendit të Kosovës, ka thënë se, mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është qenësore për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon Kosova, shkruan Gazeta Metro.
Kështu ka deklaruar Konjufca në Facebook, ku edhe ka njoftuar se gjatë vizitës në SHBA është takuar me Kryetarin e Partneritetit për Demokraci të Dhomës së Përfaqësuesve.
Njoftimi i plotë:
Kënaqësi që sot të mirëpritesha në një takim të veçantë nga Kryetari i Partneritetit për Demokraci i Dhomës së Përfaqësuesve (HDP), z.Vern Buchanan.
Në një bashkëbisedim të hapur e miqësor, me Kongresistin Buchanan diskutuam për zhvillimet politike në vend dhe rajon, integrimin e shtetit tonë në insitucionet euroatlantike dhe organizata e mekanizma ndërkombëtarë, si dhe për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Po ashtu vlerësuam marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, vazhdimësinë e miqësisë së përhershme, partneritetin e palëkundur dhe aleancën strategjike mes shteteve dhe popujve tanë.
Ndamë pikëpamje të njëjta se, sikur deri më tani, mbështetja e Shteteve të Bashkuara është qenësore për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës.
Gjithnjë në miqësi të përhershme, partneritet dhe në bashkërendim e koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /gazetametro.net