Ministri i Sportit i Kosovës, Hajrullah Çeku, i është përgjigjur Federatës së Futbollit të Serbisë për letrën qesharake që ajo ia dërgoi UEFA-s të hënën në lidhje me garat e saj ilegale në Kosovë, duke ia bërë të qartë se autoritetet kosovare nuk do të lejojnë që të shkelet rendi kushtetues dhe ligjor i Republikës së Kosovës.
Federata e Futbollit e Serbisë iu drejtua dje UEFA-s me një letër tejet qesharake, duke i kërkuar t’i bëjë presion Federatës së Futbollit të Kosovës të lejojë zhvillimin e garave të jashtëligjshme serbe brenda territorit të saj.
Kjo pasi Policia e Kosovës ua ndaloi zhvillimin e garave klubeve serbe në fundjavë, të cilat nuk e njohin Federatën e Futbollit të Kosovës dhe duan të luajnë nën ombrellën e Federatës së Serbisë brenda territorit të Kosovës.
“Kosova është vend i sportit, por ne nuk do të tolerojmë aktivitete ilegale që shkelin rendin tonë kushtetues dhe ligjor, si dhe kartat europiane e botërore të sportit”, tha Çeku në një reagim në Facebook të martën.
Çeku e akuzoi Serbinë se po vazhdon t’i shkelë marrëveshjet e arritura në dialog.
“Serbia vazhdon me veprime dëmtuese ndaj Kosovës, në shkelje të plotë me mirëbesimin si bazë e marrëveshjes së fundit në procesin e dialogut. Marrëveshja e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuar nga BE, veç tjerash, parasheh marrëdhënie të barabarta dhe të fqinjësisë së mirë. Palët gjithashtu janë pajtuar të mos e përfaqësojnë njëra-tjetrën ndërkombëtarisht”, shtoi Çeku.
Federata e Futbollit e Kosovës është institucioni i vetëm i thirrur për të organizuar gara futbolli në Kosovë dhe njihet nga UEFA me të drejta të plota.
Klubet serbe dhe serbët në Kosovë nuk kanë shfaqur asnjëherë interesim për t’u integruar apo luajtur në sistemin e garave të vendit dhe janë manipuluar nga Serbia për t’i shpërfillur institucionet e Republikës së Kosovës për të bërë gara të veta të jashtëligjshme.
“Federatat e sportit të Kosovës për kohë të gjatë i kanë ftuar klubet sportive të komunitetit serb në Republikën e Kosovës që të bëhen pjesë e sistemit legjitim sportiv në shtetin tonë. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Federata e Futbollit e Kosovës është anëtare me të drejta të plota e UEFA dhe FIFA. U bëjmë thirrje të gjitha klubeve të sportit të bëhen pjesë e sistemit legjitim sportiv të Kosovës”, nënvizoi ai.
Sikur federata serbe nuk është e vetëdijshme se UEFA e njeh vetëm FFK-në në Kosovë, federata serbe e bëri këtë kërkesë tejet qesharake: “Duke e parë autoritetin tuaj dhe autoritetin e pozitës që keni, ne ju kërkojnë të merrni qëndrim për ndalimin e këtyre praktikave. Ne ju kërkojmë po ashtu të ndihmoni me kohë, në mënyrë që të shmanget përshkallëzimi i problemeve që mund të nxiten dhe shkaktohen nga veprimet ilegale të institucioneve të Prishtinës”.