Komuna e Podujevës shumë shpejt do të bëhet me Qendër Multifunksionale, e cila është bashkëfinancim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Jemi këtu që ta bëjmë vendosjen e gurthemelit për ndërtimin e një qendre për rininë, një qendër multifunsksionale e cila do t’i ndihmojë të rinjtë që të kenë hapësira të përshtatshme për aktivitetet e tyre. Ne në përgjithësi kemi nisur një reformë për rininë në Kosovë, e cila shprehet jo vetëm në ligj të ri dhe strategji por gjithashtu edhe në këto infrastrukturat fizike”, tha Kurti.
E kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se kjo qendër ka një hapësirë prej 1450 metra katror dhe kap vlerën e 1 milion euro, ku Komuna merr pjesë me 100 mijë euro.
“Kjo qendër ka një hapësirë prej 1450 metra katror dhe e cila tash e tutje do t’u shërbejë rinisë sonë, për arsye se aktivitetet e tilla i kanë shfrytëzuar në një hapësirë tjetër dhe besoj se me ndërtimin e këtij objekti do t’u krijohen kushte më të mira”.
“I tërë projekti kap vlerën e afër 1 milion euro, bashkëfinancim me MKRS dhe Komunës së Podujevës, ku Komuna e Podujevës merr pjesë me 100 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër Ministria e Kulturës”, tha Bulliqi.