Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria e Kosovës po bën propagandë kundër qytetarëve të Kosovës
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, e ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se po e përdor propagandën për ta larguar vëmendjen nga problemet reale të qytetarëve të cilat sipas tij i ka shkaktuar vetë ajo.
Sipas tij sulmet e Qeverisë ndaj sistemit të drejtësisë, Sindikatës së Arsimit po bëhen vetëm për t’i ikur përgjegjësisë për “varfërimin e qytetarëve”.
“Sulmet ndaj sistemit të drejtësisë, kërcënimet dhe sulmet e ulëta ndaj Sindikatës së Arsimit, si dhe diskutimi se kur do të mbahen zgjedhjet, kur dihet mirë që 2024-ta është vit zgjedhor, kanë vetëm një qëllim: ikjen nga përgjegjësia për varfërimin e madh që po i bëhet qytetarit dhe të dobësimit të Kosovës nga kjo qe qeveri. Krejt këto sulme kanë qëllim që në publik mos të flitet për ngritjen e çmimeve, çmimin e lartë të rrymës, pagat e ulëta, pensionet e ulëta, bllokimin e investimeve e kapitale, ikjen e rinisë e shumë tema tjera”, tha Tahiri.
Tutje ai i listoi disa pyetje që duhet shtruar drejt Qeverisë së Kosovës.
“Pyetjet që duhet t’i bëhen Qeverisë janë: kur do ta ulni çmimin e energjisë? kur do t’i rrisni pagat e pensionet? Kur do të përfundojnë rrugët Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Gjilan, Prishtinë-Gjakovë, Prishtinë-Mitrovicë dhe pse e ndalët Autostradën e Dukagjinit?”, shkroi Tahiri.







