Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen të zhdukur. Shumë shpesh angazhohen edhe njësi e grupe vullnetare që të zbulojnë gjurmët e personave që nuk dihet asgjë për fatin e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar edhe një burrë nga Vushtrria, i cili ka raportuar se vajza e tij ka dalë nga shtëpia për të shkuar në shkollë dy ditë më parë dhe më nuk është kthyer.
Sinjali mëson se i njëjti ka deklaruar para Policisë se gjatë kësaj periudhe familja ka pasur shpresë se 15-vjeçarja kthehet, por e njëjta nuk është bërë e gjallë.
Përballë kësaj situate, familja vendosi që ta njoftojë Policinë.
Denoncimi i babait ka aktivizuar njësitet policore, me ç’rast është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që të nisin hetimet për gjetjen e vajzës dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.