Për herë të dytë brenda javës banorët e Gllamnikut kanë bllokuar një pjesë të magjistrales Podujevë-Prishtinë, me kërkesë për krijimin e një rreth-rrotullimi, mungesa e të cilit sipas tyre po ndikon në shkaktimin e aksidenteve të shumta.
Osman Bahtiri, përfaqësues i fshatit Gllamnik tha se bëhet fjalë për nevoja urgjente të banorëve për ndërtimin e një rreth-rrotullimi, pasi mungesa e tij po ndikon në shkaktimin e shumë aksidenteve në trafik.
Bahtiri: Kur të na vdesë dikush nuk na duhet rreth-rrotullimi
“Kërkesa është kaherë, iu jemi drejtuar organeve, pushtetit vendor dhe atij lokal. Tri-katër herë kanë ardhur personat që janë për ministrinë për transport dhe lidhje dhe kemi premtim, por pse nuk është realizuar ne nuk e dimë se për çka deri më sot nuk është realizuar. Këtu për çdo javë dhe çdo muaj ka ndeshje, por falë Zotit nuk ka pasur ndeshje me fatalitet…Kërkojmë në emër të të gjithë qytetarëve që sa më parë që është e mundur të qitet një rreth-rrotullim për nevojat e qytetarëve tanë…Kur të na vdesë dikush nuk ka duhet kurrgjë rreth-rrotullimi… Jam i rrezikuar, kemi nxënësit që shkojnë në shkollë, kemi pleqtë, kemi plaka. Kah do të shkojnë këto familje, ֝është shumë i ndjeshëm…Mos na lini ta bllokojmë me mjete të rënda… Këta (institucionet e vendit) janë duke na shkatërruar, kjo po shihet prej aeroplanit,” ka thënë ai.
Haki Abdullahu, banor i Gllamnikut, ka paralajmëruar ndërmarrjen e masave më radikale nëse kërkesa e banorëve nuk gjen zgjidhje nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor për vendosjen e një rreth-rrotullimi në magjistralen Podujevë-Prishtinë.
Abdullahu: Do të shtrihemi në rrugë, do të dalim me traktorë
“Duhet të merret vendimi dhe me dalë sa më shpejt. Nëse nuk marrin vendim, ne do të dalim dhe do të shtrihemi në rrugë. S’është në rregull kjo. 495 shtëpi të mbeten të bllokuara për shkak se nuk po bëhet rreth-rrotullimi. Kjo është tmerr…Kemi me dalë me traktorë, me çka të kemi dhe do ta bllokojmë (rrugën)”, ka thënë ai.
Edhe Rexhep Syla, banor tjetër i Gllamnikut, shprehet i zemëruar mungesën e një rreth-rrotullimi dhe gjendjen në punimet e rrugës Podujevë-Prishtinë.
Syla: Kthehuni mbarë, o shqiptarë se e kemi gabim
“Rreth-rrotullim do të bëhet patjetër. Qysh të doni ia bëni. Ky rreth-rrotullim do të bëhet. I kam 80 vjet, jam pishtar i arsimit dhe nuk kemi bërë këso gjërash sikurse po bëjmë sot… Mbrëmë isha në një iftar në Prishtinë, kemi pritur tri orë…Kthehuni mbarë, o shqiptarë se e kemi gabim,” ka thënë Syla.
Banorët paralajmëruan se do të ketë protesta edhe herëve tjera, porse ajo sipas tyre do të bëhet në mënyra tjera.
Më herët banorët kanë thënë se janë të gatshëm të lirojnë pronat nëse nevojitet për hapësira të ndërtimit të rreth-rrotullimit, por në mënyrë që ato të kompensohen në mënyrën e duhur.
Protesta e sotme e banorëve është mbajtur nën vëzhgimin e policisë dhe ka përfunduar e qetë.
Ndryshe, viteve të fundit në Gllamnik janë shkaktuar një numër i konsideruar i aksidenteve, të cilat kanë përfunduar me të lënduar e dëme materiale.