Lidhja Demokratike e Kosovës i ka cilësuar si “të pavërteta” deklaratat e Qeverisë se ka përparuar në indekset ndërkombëtare, duke theksuar se ekzekutivi po mundohet “të manipulojë” me raportet e publikuara tashmë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur dhe konferencë për medie për të shprehur shqetësimin e saj për Raportin e BE-së, ku Kosova ishte vlerësuar me notën më të ulët ‘progres i limituar’ pra është niveli më i ulët i progresit. Ky raport është më i keqi ndonjëherë ndër vite”, thuhet në reagim.
“Raporti përveç tjerash theksoi shqetësimet për keqmenaxhimin dhe korrupsionin. Nuk ka se si të ishte më ndryshe, ku në po të njëjtin raport përmenden kontratat sekrete. Pra ka propagandë nuk ka luftë kundër korrupsionit. LDK ri-përmend fatkeqësisht, se Kosova për herë të parë në historinë e saj është ende nën sanksione të BE-së. Për këtë raport krenohet kjo Qeveri”.
Kjo parti po ashtu ka ngritur shqetësimet pas publikimit të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (Transparency International), ku Kosova ishte vlerësuar vetëm me 41 pikë.
Sipas Transparency International, Kosova vendin e 83-të e ndau me Burkina Fason, Afrikën e Jugut e Vietnamin. Po ashtu Kosova ishte e renditur pas Malit të Zi e pas Maqedonisë së Veriut.
“Përveç tjerash, radhitja e shteteve në këtë indeks nuk tregon asgjë sepse vendet mund të ndryshojnë renditje pa pasur asnjë përmirësim. Vetëm gjatë qeverisjes së LDK-së (2014-2017), Kosova u ngrit nga 33 poena, në 39 në Transparency International, që do të thotë se pushteti e mori mandatin me 39 poenë dhe nuk e ngriti më shumë se 2”.
“Pra ka propagandë, nuk ka lëvizje në indekset ndërkombëtare. Të gjitha raportet janë publike dhe lehtë të verifikueshme dhe demantojnë çdo propagandë të kësaj Qeverie”.
Po ashtu, LDK vlerëson se qytetarët janë të vetëdijshëm të dallojnë propagandën ndaj të gjitha fakteve të publikuara nga institucionet ndërkombëtare e vendore që e demantojnë çdo mashtrim të kësaj Qeverie./Albanina Post