Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka udhëtuar në Shkup duke shprehur kështu mbështetjen ndaj opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Konjufca u shoqërua gjatë vizitës së tij nga disa liderë të opozitës shqiptare, duke përfshirë kandidatin për president të Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti dhe ai i Alternativës, Afrim Gashi.
Në një postim në Facebook, kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, ka thënë se biseda me kryeparlamentarin Konjufca ishte plot optimizëm.
“Sot kafen e pimë me një mik të veçantë, me kryekuvendarin e Kosovës, Glauk Konjufcën, në Çarshinë bujare të Shkupit. Shëtitje e bisedë plot optimizëm, me Glaukun që frymëzon vrull, për shumë fitore të reja”, ka shkruar Mexhiti.