
SHARE:
Share
Tweet
Emanuel Bajra më 14 korrik 2023 është emëruar nga Kuvendi i Kosovës, Drejtor i Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës. Deklarimin e pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK) e ka bërë edhe ai, shkruan Demokracia.com.
Por, vlera e investimeve nuk është shumë e madhe krahasuar me pasurinë që posedon Bajra. Bëhet fjalë për monedha digjitale të llojit, siç ka shënuar ai, “Ethereum, Solana, Bitcoin”. Bajra ka shënuar se vlera e tyre është 1,187.00 euro dhe investimi për to është bërë në një vlerë prej 150 eurosh, në një sasi prej 12,597.00 sosh.
Ajo që bie në sy është se Bajra ka raportuar si pasuri të luajtshme një bibliotekë që e ka përfituar vetëm në vitin 2015, vlera e të cilës është shënuar hiç më pak se 594,500.00 euro, shkruan Demokracia.com.
Tek pasuria e paluajtshme ka shënuar se posedon veturë në vlerë prej 106,200.00 eurosh. Një tjetër veturë 48,872.67 euro. Metale të çmuara, 45,000.00 euro. Orendi shtëpiake (mobile), 55,000.00 euro. Po ashtu, metale të çmuara në emër të bashkëshortes jashtëmartesore në një vlerë prej 100 mijë euro.
Bashkëshortja duket që ka të ardhura mjaft të mëdha në Londër. Pagën e saj e ka deklaruar në vlerë vjetore fiks 1,277,831.00 funta.
Pagën e tij vjetore në Trust, Bajra e ka shënuar në një vlerë prej 14,339.16 euro. Ai ka shkruar se në vitin e kaluar ka pasur të hyra edhe në vlerë prej 60,000.00 funta, si kthim nga investimet. Megjithatë, nuk dihet se për çfarë investimesh bëhet fjalë, sepse ai nuk ka deklaruar se ka aksione në ndonjë institucion, pos monedhave digjitale. Dihet se kriptovalutat shpesh nuk sjellin të ardhura në formë të dividenteve si aksionet, por në vend të kësaj mund të ofrojnë përfitime nga rritja e vlerës së tyre në treg.
Të pasur e ka edhe konton. Para në bankë në emrin e tij ka deklaruar 34,000.00 funta, kurse 704,708.60 funta si të përbashkëta.
Ai posedon dy shtëpi e dy banesa, njëra banesë në vlerë prej 100 mijë funta, tjetra 800 mijë funta. Njëra shtëpi në vlerë prej 510 mijë funta, tjetra 800 mijë funta.
Ndryshe, FKPK-ja udhëhiqet nga Bordi Drejtues, i cili përbëhet nga tetë anëtarë. Aktivitetin e përgjithshëm të FKPK-së e rregullon Kuvendi i Kosovës, ndërsa e mbikëqyr Banka Qendrore e Kosovës (BQK). Kjo është e angazhuar kryekëput për mbajtjen dhe investimin e kontributeve pensionale të kursyera nga qytetarët e Kosovës gjatë marrëdhënies së punës. /Demokracia.com/







