Sot, në Kuvendin e Kosovës kemi një kërkesë konkrete, e cila na obligon si deputetë të zgjedhur nga qytetarët, që të të kërkojmë një ballafaqim me qeverinë, të kërkojmë transparencë rreth një përgjimi i cili ka shpërfaqur tri çështje:
1. Kushtëzimet – për çfarë kushtesh po bëhet fjalë?
Qytetarët duhet ta dinë se për çfarë kushtesh është negociuar me kryekriminelin, terroristin dhe iniciuesin e sulmit ndaj shtetit, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ndaj personit që është në listën e zezë të ShBA dhe i cili akuzohet nga rendi ynë kushtetues si urdhëruesi, udhëheqësi i sulmit terrorist dhe i cili është përgjegjës për vrasjen e heroit të kombit, Afrim Bunjaku.
2. Pazari – cili ishte?
Qytetarët duhet të informohen se cili ka qenë pazari i këtij negocimi. Aty nuk flitet për ligje që kanë të bëjnë me komunitetet. Nuk flitet për çështje të cilat trajtohen në kuvend në raport me dy të tretat. Aty diskutohet për një ligj, i cili prek secilin njeri të këtij vendi – pagën minimale, dhe shihet qartë që ka qenë një kushtëzim, një pazar rreth largimit të vlerës sonë më të madhe kombëtare – luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
3. Koordinimi – marrëveshje kundër kujt?
Ne duhet ta dimë dhe ta kemi transparencën në këtë kuvend, se ky koordinim a është një thikë pas shpine ndaj demokracisë së Kosovës. Që nga nisja e kësaj legjislature, na është thënë se nuk ka koalicion me Listën Serbe, nuk ka asnjë marrëveshje me ta. Përgjimet vërtetojnë se ka ndodhur një marrëveshje e thellë dhe në thelb kundër disa vlerave që lidhen me të mirën publike, të mirën e qytetarëve të Kosovës.
Kjo qeveri nuk ka etikë politike. Po të kishte etikë politike, sot do të flisnim se Ushtria e Kosovës nuk ka ushqim. Po të kishte etikë, do të duhej të dorëhiqej dikush për faktin se është ka vidhet me të madhe dhe prokuroria nuk po ndalet ndaj kabinetit qeverisës. Po të kishte etikë politike, do ta diskutonim pushtimin ekonomik që Serbia e bëri më një vendim të kësaj qeverie.
Znj. Kusari-Lila nuk duhet në asnjë moment të vendosësh argumente që nuk qëndrojnë, për shkak se mashtrimi dhe rrena luftohet vetëm me të vërtetën. E, të vërtetën e din ky popull se kush është Ramush Haradinaj, cili është kontributi i tij në luftë dhe në liri, në marrëveshjen e Brukselit, të Ohrit dhe secilën pore të jetës. Nuk mund të na tregosh moral për atë temë.
Ne po kërkojmë ballafaqim, transparencë, llogaridhënie për një pazar dhe një kushtëzim. Mashtrimi luftohet vetëm me të vërtetën.







