Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se pushteti pas shpërthimeve të skandaleve, po shkon drejt një gjuhe ofenduese.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ai ka thënë se sa më të thella që janë skandalet, aq më të thella ofendimet.
“Paniku i pushtetit pas shpërthimeve të skandaleve të njëpasnjëshme, po i shtynë ata drejt një gjuhe të zakonshme ofenduese – përplot urrejtje e mllef.
Sa më të thella skandalet, aq më të thella ofendimet! Skandalet do të thellohen, me to dhe ofendimet. Sepse sharja është e lehtë, sidomos për ata që se bëjnë dot një shenjë ani pse kishin 51% e plot 12 miliardë euro buxhet!” – ka thënë Abdixhiku.
Tutje, Abdixhiku ka përmendur zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen në shkurt.
“Por zgjedhjet e ardhshme s’bëhen se kush shanë e kush pështynë më mirë. Po ua japim këtë medalje që në fillim.
Zgjedhjet e ardhshme bëhen për çmimet e larta, pagat e ulëta, investimet që s’bëhen, punët që s’janë, ikjen masive, shkollat e dobëta e spitalet e vjetëruara; për përballjet e brengat e familjeve kosovare nga mëngjesi deri në mbrëmje! Zgjedhjet e ardhshme bëhen për hapin e domosdoshëm të Kosovës drejt familjes euroatlantike; aty ku Shqipëria dje nisi anëtarësimin – e ne vazhdojmë nën masa, pa njohje e pa anëtarësime.
Këtu, në këtë fushë do të na gjeni ne. Mua dhe ekipin tim të programit ‘Rruga e Re’; këtu, në këtë përpjekje, do të përpiqemi të bëjmë bashkë secilin që ndjenë se rrugëtimi i domosdoshëm i Republikës nuk bëhet dot me kaq shumë mllef e ndarje, me kaq pak rezultat. Kosova ka nevojë për përbashkimin e më të mirëve sepse jemi pak për t’i lejuar të na ndajnë e jemi shumë prapa për t’i lejuar të na mbajnë aty!” – ka thënë ai./Nacionale







