Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, është shprehur i bindur se zgjedhjet parlamentare do t’i fitojë opozita, derisa parashikon rezultat befasues për Lëvizjen Vetëvendosje – partinë që ka pushtetin – dhe për këtë thotë se ka parë sondazhe.
“Këto zgjedhje do t’i fitojë opozita. Se kush qysh del e para nuk e di, mirëpo të dhënat e mia edhe prej një sondazhi të fundit që e kemi pa para dy dite janë të një rezultati që do ta befasojë LVV-në, se ata hala besojnë se janë 50 për qind”, tha Tahiri në një intervistë për televizionin publik.
“Hala mendojnë se i kanë 50 për qind, hala atë bindje e kanë për shkak se janë të shkapur prej qytetarëve”, shtoi.
Rezultatet e sondazhit, deputeti i AAK-së pohoi se janë befasues për gjithë Kosovën. “Ka një rënie drastike të Lëvizjes Vetëvendosje”.
Ndryshe, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 25 shkurtin e 2025-së si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Kjo është hera e parë pas pavarësisë që në Kosovë organizohen zgjedhje të rregullta, duke qenë se të gjitha të tjerat ishin të jashtëzakonshme, për shkak të dorëheqjeve të kryeministrave apo mocioneve të mosbesimit.
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 14 shkurt të vitit 2021.
Ato i kishte fituar në mënyrë plebishitare Lëvizja Vetëvendosje e drejtuar nga Albin Kurti, me mbi 50 për qind.
Nga lista fituese, pra e LVV-së, e cila ishte në koalicion me Listën Guxo, që atëbotë udhëhiqej nga Vjosa Osmani, janë zgjedhur tre krerët e institucioneve kryesore të shtetit, konkretisht Albin Kurti Kryeministër, Vjosa Osmani Presidente dhe Glauk Konjufca, Kryetar i kuvendit.
Në ato zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), siguroi 58 ulëse; Partia Demokratike e Kosovës (PDK) siguroi 19 ulëse; Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) siguroi 15 ulëse dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), 8 ulëse.
Në bazë të rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), LVV-ja kishte fituar 438 mijë e 335 vota (50.28%); PDK-ja 148 mijë e 296 (16.90%); LDK-ja 110 mijë e 978 (12.64%) dhe AAK-ja 62 mijë e 111 vota (7.07%).







