—
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar sot për nënshkrimin e një kontrate të rëndësishme me prodhuesin shtetëror turk “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE), duke hapur rrugën për krijimin e industrisë vendore të mbrojtjes.
Kontrata përfshin funksionalizimin e një fabrike moderne për prodhimin e municioneve të kalibrave të ndryshëm sipas standardeve të NATO-s, një hap ky që forcon kapacitetet strategjike dhe të sigurisë së Kosovës.
Sipas marrëveshjes, MKE do të sigurojë jo vetëm makineritë prodhuese, por edhe trajnimin e stafit lokal, mirëmbajtjen e pajisjeve për një periudhë të caktuar, si dhe sistemet e nevojshme për testim dhe kalibrim të cilësisë. Pas fillimit të prodhimit, fabrika do të funksionojë si ndërmarrje publike dhe do të operojë si një markë 100% vendore, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe teknologjik të vendit.
“Ky është një hap historik për vendin tonë, i cili jo vetëm që forcon mbrojtjen tonë kombëtare, por gjithashtu vendos themelet për një sektor të rëndësishëm industrial,” theksoi Kryeministri Kurti.
Kjo nismë pritet të sjellë përfitime të shumta, duke filluar nga rritja e punësimit dhe aftësimit profesional të qytetarëve të Kosovës deri tek përforcimi i pozitës së vendit në rajon si një shtet me kapacitete të pavarura në industrinë e mbrojtjes.
Me këtë marrëveshje, Kosova bëhet pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të prodhimit të municioneve të standardeve më të larta, duke i dhënë një dimension të ri bashkëpunimit ekonomik dhe diplomatik mes Kosovës dhe Turqisë.







