Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka prezantuar projektet më të mëdha të programit të saj qeverisës ‘Rruga e Re’.
Abdixhiku ka thënë se disa nga projektet më të mëdha të LDK-së janë Spitali i Ri, Centrali me Gaz, Brezovica, Unaza e Kryeqytetit e Parku Teknologjik.
“Këto investime, rreth 2 miliardë euro, në katër vite mandat – me buxhet 16 miliardë, e vendosin Republikën tonë në stad të ri jo vetëm zhvillimor por dhe historik”, tha Abdixhiku në një postim në rrjetin social Facebook.
“Projektet e ‘Rrugës së Re’ e vet vizioni ynë, janë projeksione reale të një Kosove që po na pret. Alternativa e kësaj të ardhme mbetet urrejtja, mllefi e përçarja e brendshme në moçalin e madh popullist që ushqen veç vrer!”, tha kandidati për kryeministër.
Abdixhiku tha me bindje se “ndryshimi megjithatë po vjen.”
Ai përmendi 40 mijë regjistrime nga bashkatdhetarët dhe 17 tubime të mëdha të turneut të tij gjatë parafushatës.







