13 organizata ndërkombëtare të gazetarëve dhe lirisë së medias i kanë drejtuar letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pasi janë thellësisht të shqetësuar për vendimin e Lëvizjes Vetëvendosje për të bojkotuar tri televizionet nacionale, T7, Klan Kosova dhe RTV Dukagjini përgjatë periudhës së zgjedhjeve, shkruan Gazeta Express.
Në letrën e publikuar në faqen e Qendrës Evropiane të Lirisë së Shtypit dhe Medias, janë përmendur edhe deklarimet e Drejtorit të T7, Leonard Kërquki dhe autorit të emisionit Debat në RTV Dukagjini, Ermal Panduri.
Drejtori i T7, Leonard Kerquki, ka shpjeguar vendimin duke thënë: “Zyrtarë nga Vetëvendosje më kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në programet e T7 gjatë fushatës zgjedhore. Ata nuk dhanë ndonjë arsyetim bindës për këtë vendim, duke më bërë të besoj se kjo është një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë publike.”
Ermal Panduri i TV Dukagjinit shtoi: “Zyrtarë nga Vetëvendosje më kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në TV Dukagjin gjatë fushatës zgjedhore. Arsyetimi i tyre për këtë vendim gjatë takimit ishte i paqartë dhe ne kemi kërkuar sqarime të mëtejshme. Për ne, kjo pasqyron frikën e partisë në pushtet për t’u përballur me pyetjet e gazetarëve dhe komentuesve politikë në studio.”
Sipas organizatave nënshkruese kjo tregon një model shqetësues të rënies së lirisë së medias.
Në letër janë përmendur edhe të dhënat e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës që flasin për përkeqësim të ambientit të të bërit gazetari në Kosovë, për shkak të sulmeve që vijnë edhe nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, e të cilët i etiketojnë gazetarët si “spiunë serbe’ apo edhe se “janë në një linj me interesat serbe”.
“Kosova ka nevojë urgjente për masa për të mbrojtur lirinë e mediave, për të promovuar transparencën dhe për të siguruar llogaridhënien e zyrtarëve publikë. Publiku, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore, ka të drejtën themelore për të pasur akses në informacione të ndryshme, për të shqyrtuar premtimet politike dhe për t’i mbajtur politikanët përgjegjës”