Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka komentuar kërkesën që Prokuroria Speciale ia ka bërë Gjykatës që Kurti të urdhërohet për të shkuar dhe për të dhënë dëshmi.
Haxhiu ka thënë se Kurti nuk ka refuzuar të jap dëshmi, por ka kërkuar që intervista të bëhet në Zyrën e Kryeministrit.
Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar kërkesën që të jap dëshmi. Kryeministri i ka ftuar prokurorët të vijnë në zyrën e tij në kryeministri të jap dëshminë e tij, por që prokuroria nuk duket që është e interesuar për ta marrë dëshminë e tij, sepse ka pasur disa mundësi, disa data që ka propozuar Kurti dhe nuk ka ardhur për të marrë dëshminë”, tha Haxhiu, raporton Nacionale.
Ajo ka thënë se nëse Prokuroria ka theksuar që Kurti ka refuzuar të dëshmojë, kjo është gënjeshtër.
Nuk e di si saktësisht Prokuroria i është referuar Gjykatës, nuk e kam parë, nëse Prokuroria ka thënë që Kurti s’po pranon të jap dëshmi, kjo është gënjeshtër. Kurti nuk ka refuzuar të jap dëshmi. Neni i Prokurorisë Speciale ka të bëjë me persona që refuzojnë të japin dëshmi, dhe jo kur një person, kryeministri thotë që jap dëshmi, iu ftoj në zyrën time. Nëse i është drejtuar kështu gjykatës, e ka mashtruar Gjykatën. Nëse ka thënë se po refuzon, është mashtrim”, tha ministrja Haxhiu.
Ajo ka thënë se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë më politik. Ftesën e Prokurorisë, e ka quajtur veprim politik.
Ai nuk ka refuzuar asnjëherë. E vetmja çështje është lokacioni. Asnjëherë më politik s’ka qenë sistemi i drejtësisë. Kur nuk kanë mundur të na ndalin në Kuvend ose analistët, kanë zgjedhur Prokurorinë Speciale. Pavarësisht përpjekjes së tyre për të na dëmtuar, frikësuar nuk kanë arritur të na ndalin. Mbështeja qytetare është shumë e madhe, prandaj është dëshmi e qartë që ne duhet të vazhdojmë t’i adresojmë të gjitha zotimet”, tha ajo.
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar se kanë pranuar kërkesë nga Prokuroria Speciale, lidhur me refuzimin e Kurtit për intervistim.
Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata që Kurti të urdhërohet për të shkuar për të dëshmuar.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi.
“Konfirmojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka pranuar kërkesën në fjalë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e njëjta është duke u shqyrtuar nga gjykata”, tha Gashi.
Nëse Gjykata e pranon kërkesën, Albin Kurti si dëshmitar, duhet të paraqitet për të dëshmua në Prokurorinë Speciale.
Nëse jo, sipas ligjit, Kurtit mund t’i shqiptohet gjobë dhe të burgoset.
Me t’u lëshuar ky urdhër, Kurti duhet të paraqitet vullnetarisht në objektet e PSRK-së, por nëse nuk vepron ashtu siç kërkohet, urdhri i Gjykatës i dorëzohet edhe Policisë, e cila më pas duhet ta ekzekutojë urdhrin për ta sjellë atë për të dhënë dëshminë.
Prokuroria Speciale e Kosovës kishte dërguar një ftesë të dytë në adresë të kryeministrit të vendit Albin Kurti.
Kjo për intervistim në cilësinë e dëshmitarit pasi ai nuk iu përgjigj ftesës së parë të dërguar dit më parë.
Ftesën e prokurorisë për kryeministrin e ka konfirmuar për Dukagjinin zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu për të cilën ai ka thënë se si kabinet qeverisës i janë përgjigj.
“Prokuroria Speciale ka përcjellur një ftesë të dytë në adresë të kryeministrit Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit. Kabineti i Kryeministrit i është përgjigjur kësaj ftese duke ritheksuar gatishmërinë e kryeministrit që t’i mirëpres prokurorët në zyrën e tij për intervistim. Për këtë kemi propozuar tre orare të takimit. Një për sot, dhe dy orare tjera për javën tjetër”, ka thënë Kryeziu.
Kurti deklaroi se nuk do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Prokurorisë.
“Prokurorët kanë ardhur në Kryeministri edhe më herët. Unë guxoj t’ju them ‘S’po vij’, të shohim tash a guxojnë ata të vijnë” – tha Kurti.