Pas takimit të tensionuar Trump-Zelensky, shumw liderw evropian i kanw dalw nw mbwshtetje presidentit ukrainsa..
Kryeministri polak Donald Tusk ishte i thjeshtë me mesazhin e tij, duke i thënë Zelenskyt dhe “miqve të tij të dashur ukrainas” se “nuk janë vetëm” gjatë kësaj kohe.
Ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron tha se Rusia është agresori dhe është populli ukrainas ai që sulmohet, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Macron shtoi se është e rëndësishme të “respektohen” ata që kanë luftuar që nga fillimi për sigurinë e Evropës.
Udhëheqësja konservatore Kemi Badenoch ndau gjithashtu mendimet e saj, duke thënë se “diplomacia e respektuar është thelbësore për paqen”.
“Një Perëndim i ndarë i sjell dobi vetëm Rusisë”, shkroi ajo.
“Tani është koha për më shumë bashkëpunim, jo më pak. Çdo marrëveshje paqeje duhet të negociohet me Ukrainën në tryezë dhe do të ketë nevojë për garanci sigurie”, shtoi Badenoch.
“Ne nuk mund të harrojmë faktin se sonte sirenat e sulmit ajror po bien në Ukrainë”, përfundoi konservatorja.
Në lidhje me takimin në Shtëpinë e Bardhë ka reaguar edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.
“Dinjiteti juaj nderon trimërinë e popullit ukrainas. Ji i fortë, trim, ji i patrembur. Nuk je kurrë vetëm”, shkruan ata në X.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë me ju për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Në vijim gjeni deklarata të liderëve tjerë evropianë.
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez: “Ukrainë, Spanja qëndron me ju”.
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerboc: “Ukraina nuk është vetëm”.
“Gjermania së bashku me aleatët tanë evropianë qëndron e bashkuar përkrah Ukrainës – dhe kundër agresionit rus. Ukraina mund të bazohet në mbështetjen e palëkundur nga Gjermania, Evropa dhe më gjerë. Mbrojtja e tyre e demokracisë dhe kërkimi i tyre për paqe dhe siguri është e jona.”
Presidentja moldave Maia Sandu: “E vërteta është e thjeshtë. Rusia pushtoi Ukrainën. Rusia është agresori”.
“Ukraina mbron lirinë e saj – dhe tonën. Ne qëndrojmë me Ukrainën.”
Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda: “Ukrainë, nuk do të jesh kurrë vetëm”.
Ministri i Jashtëm estonez Margus Tsahkna: “E vetmja pengesë për paqen është vendimi i diktatorit rus Vladimir Putin për të vazhduar luftën e tij. Nëse Ukraina pushon së luftuari, nuk do të ketë Ukrainë”.
“Mbështetja e Estonisë për Ukrainën mbetet e palëkundur. Është koha që Evropa të përparojë. Nuk kemi nevojë të presim që të ndodhë diçka tjetër; Evropa ka burime të mjaftueshme, duke përfshirë asetet e ngrira të Rusisë, për t’i mundësuar Ukrainës të vazhdojë të luftojë.