Sektori i Hetimit të Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës ka nisur një hetim pas denoncimit të kandidatit për deputet të VV-së, Dimal Basha, i cili në fund të muajit shkurt e raportoi një rast kërcënimi. Si rezultat, u ndërmorën veprimet e nevojshme dhe i dyshuari tashmë është arrestuar, raporton Gazeta Sinjali.
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinë, i dyshuari u ndalua dhe më pas u intervistua nga hetuesit policorë.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari për këtë rast është Rijad Munishi, rreth 37-vjeçar, mërgimtar nga Zvicra.
Munishi dyshohet se i kishte dërguar një mesazh në rrjete sociale deputetit Basha, përmbajtja e të cilit ishte kërcënuese, për motive akoma të panjohura.
Pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme, emri i të dyshuarit u fut në stop listë dhe i njëjti u ndalua pas verifikimit në aeroport.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor, në drejtim të veprës penale “Kanosja”.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që seriozisht e kanos personin tjetër me fjalë, vepra apo gjeste se do t’i shkaktoj ndonjë të keqe me qëllim të frikësimit ose të shkaktimit të ankthit te personi i tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë (6) muaj.
Ndërsa kushdo që seriozisht i kanoset personit tjetër me fjalë, vepra apo gjeste se do ta privojë nga jeta ose se do t’i shkaktojë lëndim të rëndë trupor, se do ta rrëmbejë ose privojë nga liria ndonjë person tjetër ose se do ta dëmtojë me armë zjarri, me shpërthim ose me mjete të tjera të rrezikshme, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.