Në një aksion të Prokurorisë Speciale, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, sot në Gjakovë u arrestua kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, Hasan Krasniqi.
Krasniqi dyshohet të ketë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Pas arrestimit të tij Prokuroria Speciale njofton se janë kryer bastisje në objektin ku banon i dyshuari si dhe në zyrën e tij në KRU “Gjakova”.
Gjatë bastisjes raportohet të jetë konfiskuar një laptop, një telefon, mbi 22 mijë euro para dhe gjësende të tjera.
Ky është njoftimi i plotë i Prokurorisë:
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit në Gjakovë, kanë realizuar sot një operacion policor në Gjakovë.
Operacioni policor ka rezultuar me arrestimin e një personi H.K., të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPRK-së, i cili me vendim të prokurorit nga PSRK është ndaluar për 48 orë.
Poashtu gjatë ditës së sotme janë kontrolluar-bastisur edhe objekti i banimit të personit të dyshuar dhe zyra e tij në KRU Gjakovë, ku janë siguruar dëshmi- prova materiale që ndërlidhen me rastin, si dhe janë sekuestruar:
Një (1) Lap-Top
-Një (1) Telefon mobil Samsung Galaxy S22,
-Para 22.205,00 Euro,
-Barka Ranier Wit,
-Dy kontrata qe ndërlidhen me rastin.
Prokurori i rastit brenda afatit ligjor do të vendosë për masën e sigurisë së pranisë së të pandehurit në procedurë.