Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka refuzuar publikisht një ftesë të bërë nga Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për një takim konsultativ. Në një deklaratë të gjatë drejtuar qytetarëve të Republikës, Abdixhiku thekson se LDK nuk është e gatshme të marrë pjesë në asnjë konsultim me një subjekt politik që, sipas tij, ka ushtruar për vite me radhë gjuhë përçmuese dhe ofenduese ndaj LDK-së, anëtarëve të saj dhe votuesve të saj.
“Fjalët kanë peshë,” shkruan Abdixhiku, duke theksuar se për LDK-në, fjala është përgjegjësi, zotim dhe besë. Ai ka kujtuar etiketimet dhe sulmet që, sipas tij, janë bërë nga Vetëvendosje ndaj partisë së tij, të cilat shkojnë përtej dallimeve politike dhe cenojnë thelbin njerëzor të komunikimit dhe respektit politik.
“Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’ dhe moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim,” shkruan Abdixhiku, duke përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me Vetëvendosjen, qoftë edhe në formë takimi konsultativ.
Ai thekson se LDK mbetet e përkushtuar ndaj parimeve të saj dhe nuk do të devijojë nga qëndrimet e artikuluara para, gjatë dhe pas fushatës. “Besë do të ketë,” shton ai, duke lënë të kuptohet se LDK do të vazhdojë të qëndrojë larg çdo bashkëpunimi që bie ndesh me dinjitetin dhe fjalën e dhënë.
Megjithatë, Abdixhiku konfirmon se LDK nuk do të bëhet pengesë për proceset demokratike. Ai shpreh gatishmërinë për konstituimin e Kuvendit më 15 prill dhe njeh të drejtën kushtetuese të partisë së parë për të formuar qeverinë. Në rast të dështimit të saj, Abdixhiku thotë se çdo palë tjetër ka të drejtën për të ndërtuar shumicën parlamentare.