Lista Serbe ka mohuar kategorikisht se mund të japë përkrahje për formimin e një qeverie të re të udhëhequr nga Albin Kurti, duke e quajtur “gënjeshtër të pastër” çdo pohim në këtë drejtim.
Lista Serbe akuzon Lëvizjen Vetëvendosje për shpërndarje të qëllimshme të dezinformatave me qëllim manipulimi të opinionit të brendshëm.
Në të njëjtin reagim, kjo parti u është drejtuar edhe votuesve të saj, duke riafirmuar qëndrimin politik dhe përkushtimin për të përfaqësuar interesat e komunitetit serb në Kosovë.
“Ne jemi absolutisht të sigurt se për këtë janë të vetëdijshëm edhe përfaqësuesit e Vetëvendosjes, por gënjeshtrat që i postojnë dukshëm i shërbejnë në lojërat e tyre të brendshme, prandaj i refuzojmë publikisht. Njëkohësisht votuesve tanë ju themi se kurrë nuk do t’i zhgënjejmë dhe se respektojmë thellë se Lista Serbe ka fituar më shumë se 80% të votave të popullit serb. Me krenari dhe pergjegjesi respektojme secilen nga 40000 votat qe na dhane bashkatdhetaret tane ne zgjedhjet e fundit me qellim qe te luftojme per interesat e popullit serb brenda Kuvendit ne Prishtine”, thuhet në njoftim.
Seanca konstitutive e Kuvendit të martën dështoi pasi nuk kaloi pika e parë e rendit të ditës. Për raportin e Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve nuk votoi opozita (PDK, LDK, AAK). Ata pretendojnë se është kundërkushtetues duke pretenduar se zyrtarët qeveritarë nuk kanë ofruar dorëheqje me kohë. Ndërsa nga VV-ja insistojnë se kanë respektuar procedurat./Arbresh.info