Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se deputetët nuk duhet të refuzojnë të konfirmojnë mandatin e tyre, tashmë të certifikuar edhe nga KQZ-ja.
Sipas Gërvallës, ata që po e bëjnë këtë gjë, “nuk janë në mend”, transmeton IndeksOnline.
E pyetur nga IndeksOnline nëse mund të rrezikohen mandatet e fituara, për shkak të zhvillimeve në dy seancat konstituive, Gërvalla thotë se nuk dëshiron të paragjykojë asgjë për të shtunën.
Unë nuk dua të paragjykoj asgjë për të shtunën. Mirëpo, deputetët të cilët refuzojnë të konfirmojnë mandatin e tyre, të cilin tashmë ua ka certifikuar KQZ-ja, sinqerisht që nuk janë në mend. Sinqerisht që jo! Prandaj, duhet të hiqet dorë nga destruktiviteti. Mundësi ka për të tejkaluar situatën, ama nevojitet vullnet.
Prandaj, bllokada nuk duhet të jetë alternativë dhe për këtë kërkoj ndihmën e opinionit publik sepse në këto kohë të vështira nëpër të cilat po kalon gjithë kontinenti ynë, nuk e kemi luksin të rrijmë dhe të diskutojmë për bllokada formale e teknike, por duhet të ecim përpara”, tha ajo përpara mediave, pas dështimit të seancës së sotme konstituive./IndeksOnline/