Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka zhvilluar sot një ndër trajnimet më të rëndësishme të trupave të saj, të cilin e udhëhoqën ushtarët italianë.
Përmes një postimi në Facebook, KFOR njoftoi se ushtrimi i realizuar ishte i tipit “Crowd and Root Control”, i cili simulon situata të mundshme të trazirave për të përgatitur trupat për ndërhyrje efikase në raste të tilla.
“Pika kryesore e një ushtrimi të tillë është realizmi, për të qenë gati për të reaguar në mënyrën më efektive ndaj çdo situate”, thuhet në njoftim.
Sipas KFOR-it, ky ushtrim ka për qëllim forcimin e përgatitjes, koordinimit dhe qasjes së duhur operacionale në rast të tensioneve në terren.
“Përgatitja, koordinimi, procedurat, mendësia e duhur dhe provat janë baza e aktiviteteve kundër trazirave”, vijon njoftimi.
Në fund, KFOR nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në vend.