Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar një takim me Kryetarin e qytetit Ames në Iowa, z. John Haila.
Në këtë takim, Kryetari Bulliqi u shoqërua nga bashkëpunëtorja e z. Haila, znj. Karla McCollum, si dhe nga përfaqësuesit e Konsullatës së Kosovës në Iowa, z. Drilon Zogaj dhe z. Fatmir Rrahmanaj.
Gjatë takimit, u diskutua për krijimin e urave të bashkëpunimit mes Podujevës dhe qytetit Ames, me fokus në fusha të rëndësishme si ekonomia, bujqësia, arsimi dhe lidhjet ndërmjet bizneseve të dy qyteteve.
Palët u dakorduan që në një të ardhme të afërt të nisin projekte konkrete bashkëpunimi, ndërsa gjatë vizitës së ardhshme të delegacionit nga Ames në Podujevë pritet të formalizohet edhe binjakëzimi mes dy komunave.
“Ky është vetëm fillimi i një partneriteti të rëndësishëm për qytetin tonë,” tha Kryetari Bulliqi, duke theksuar se bashkëpunime të tilla do të krijojnë mundësi të reja zhvillimi për qytetarët e Podujevës.