Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të enjten mbrëma ka marrë pjesë në ngjarjen e organizuar në Prizren për nder të shënimit të 8 Prillit, Ditës së Romëve.
Sipas njoftimit Kurti ka konfirmuar përkrahjen për këtë komunitet.
Data 8 prill është një datë krenarie për komunitetin rom. Gëzohem që jam këtu për të festuar bashkë me juve. Jam i lumtur që të konfirmoj nga këtu, në mesin tuaj, përkrahjen e qeverisë sonë dhe timen, ndaj komunitetit tuaj, që ka një trashëgimi të vjetër në shoqërinë tonë dhe kontribut të çmuar për shtetin tonë”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar angazhimin e përbashkët me pjesëtarë e përfaqësues të komunitetit rom për të rritur mundësitë për shkollim e arsimim, punësim e shëndetësi dhe mirëqenie.
Ka përmendur bursat e ndara për nxënës dhe studentë të komuniteteve jo shumicë, përfshirë atyre rom, pastaj mbështetjen për qendrat mësimore për fëmijë, sikurse edhe themelimin e Grupit Ndërinstitucional për Promovimin e Punësimit të Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve, dhe miratimin e Rregullores për Pranim në Shërbimin Civil për të mundësuar shpalljen e vendeve të punës për anëtarët e komuniteteve jo shumicë, në rast se një institucion nuk e ka plotësuar kuotën ligjore prej 10% për komunitetet jo shumicë.
Në të njëjtën kohë, sipas njoftimit të ZKM-së, ka ritheksuar përkushtimin për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komunitetit rom.