Me përfundimin e dëshmitarëve të Prokurorisë, avokatët e krerëve të UÇK-së në Hagë, nuk besuan se ka arsye që klientëve të tyre t’u vazhdohet paraburgimi.
Me këtë qëllim, mbrojtja e Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, kërkuan lirim të përkohshëm nga paraburgimi.
Megjithatë, me këtë nuk po pajtohet Prokuroria e Specializuar në Hagë. Madje, këta të fundit, e pritën këtë kërkesë, që të kujtohen se kanë disa përgjime të reja që i kanë bërë në Qendrën e Paraburgimit.
Nëpërmjet këtyre përgjimeve, Prokuroria e Hagës ka kërkuar që Veselit, Selimit e Krasniqit, t’u vazhdohet paraburgimi, dhe kërkesa për lirim të mos aprovohet.
Përgjimet të cilat Prokuroria i ka pasur për gati 2 vjet, ka vendosur që tek tash t’i dorëzojë te gjyqtarët e Speciales. Ato janë përgjimet që janë përdorur edhe në rastin e Thaçit, ku sipas Prokurorisë, ka pasur tentime që nëpërmjet vizitorëve në qendër, të ndikohet tek dëshmitarët.
Në dokumentin që ka parë Nacionale, Prokuroria nuk tregon pse këto përgjime nuk i publikoi më herët. Por thotë se dëshmojnë, që Veselit e Selimit nuk duhet t’u aprovohet kërkesa për lirim.
“Transkriptet shtesë të Qendrës së Paraburgimit hedhin dritë domethënëse mbi sjelljen e Rexhep SELIMIT dhe Kadri VESELI-t në Qendrën e Paraburgimit. Këto transkripta tani janë të një rëndësie të veçantë në kontekstin e procesit gjyqësor në pritje të lirimit të përkohshëm, dhe tregojnë se si Hashim THAÇI nuk është i vetmi i akuzuar që ka abuzuar me vizitat e tij jo të privilegjuara”, thuhet në parashtresë, raporton Nacionale.
“Këto materiale janë transkripta të regjistrimeve të vizitave jo të privilegjuara nga qendra e paraburgimit materialet e sekuestruara që lidhen me ato regjistrime dhe një regjistër vizitash në qendrën e paraburgimit. Eksponatet e propozuara – të përcaktuara në Shtojcat 1-2 4 – janë prima facie relevante, autentike dhe kanë vlerë provuese që nuk tejkalohet nga asnjë paragjykim”, thuhet në një dokument të cilin kryeprokurorja e Hagës ia ka nisur Gjykatës Speciale.
Kjo erdhi vetëm pak ditë pasi mbrojtja e Veselit, Krasniqit dhe Selimit, dorëzuan kërkesat për lirim nga paraburgimi. Sipas Prokurorisë, këto dokumente, të cilat ata i posedojnë për kohë të gjatë, tregojnë se ish-krerët e UÇK-së duan ta ndikojnë tek dëshmitarët. Pavarësisht, se dëshmitarët e Prokurorisë kanë përfunduar.
“Eksponatet e propozuara demonstrojnë që të Akuzuarit shkelin urdhrat e gjykatës, shkelin fshehtësinë e procedurave dhe/ose tentojnë në mënyrë të paligjshme të ndikojnë në provat e dëshmitarëve të Prokurorisë. Një sjellje e tillë do të përbënte rrethanë rënduese për çdo dënim të shqiptuar kundër Hashim THAÇI-t, Kadri VESELI-t ose Rexhep SELIMIT. Kjo sjellje e njëjtë tregon gjithashtu mungesën e rrethanave lehtësuese, pasi rregulli 163(1) në mënyrë specifike e udhëzon Trupin Gjykues që të marrë në konsideratë ‘sjelljen e personit të dënuar pas aktit’ për qëllime të dënimit”, thuhet në këtë parashtresë.
Prokuroria e Hagës ka përmendur “klimën e frikësimit të dëshmitarëve, dhe tentativat për të ndikuar te dëshmitë e tyre”.
“Më tej, provat e propozuara dëshmojnë për klimën serioze të frikësimit të dëshmitarëve në të cilën po kryhen këto procedura dhe informojnë vlerësimet e besueshmërisë së dëshmitarëve të Prokurorisë. Procesverbalet e provave përmbajnë shembuj të shumtë të dëshmitarëve që refuzojnë deklaratat e kaluara, shmangin detajet themelore nga rrëfimet e mëparshme dhe/ose kanë frikë t’i tregojnë Trupit Gjykues se të akuzuarit e kanë treguar historinë e tyre. Udhëheqësit e UÇK-së dhe zyrtarët e nivelit të lartë të qeverisë së Kosovës – janë të kapitalizuar në një histori të frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë për të përhapur informacione konfidenciale ose për të dhënë udhëzime se si të dëshmojnë vërteton frikën e këtyre dëshmitarëve, veçanërisht duke pasur parasysh se një sjellje e tillë bie ndesh me urdhrat e qarta gjyqësore në këtë rast”,thuhet më tutje.
Prokuroria e Hagës ka dorëzuar edhe një listë tabelash me vendime nga Gjykata të ndryshme, ku sipas tyre, ishte aprovuar kërkesa për paraburgim, duke përdorur modele krahasuese.
Nacionale ditë më parë raportoi se Gjykata Speciale ua ka vazhduar paraburgimin Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Kjo pavarësisht se të paktën tri prej arsyeve të përmendura deri më tash për vazhdimin e kësaj mase, nuk qëndrojnë.
Në vendimin për vazhdimin e paraburgimit, konfirmohet se Veseli kishte bërë kërkesë me 3 prill për lirim të përkohshëm.
Kërkesë të ngjashme nuk kishte bërë edhe Hashim Thaçi, kjo për shkak të aktakuzës së dytë që rëndon mbi të, për pengim të drejtësisë.
Kjo situatë shkaktoi reagime të ndryshme në Kosovë.