Sot është mbajtur mbledhja e rregullt e Kuvendit të Komunës së Podujevës, me një rend dite prej 11 pikash.
Mbledhja ka nisur me betimin e asamblistes së re të Kuvendit Donjeta Baliu nga LVV e cila ka zëvëndësuar Drita Pajazitin që ka fituar mandatin e deputetes në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit.
Më pas me propozimin e asamblistit Naim Çunaku u mbajt një minutë heshtje në nderim të viktimave të masakrës së Dyzit, me rastin e 26-vjetorit të saj.
Në fillim të mbledhjes, u miratuan procesverbalet nga mbledhjet e mbajtura më 05.03.2025 dhe 13.03.2025.
Në këtë mbledhje Kuvendi miratoi propozim-vendimin për bartjen e të hyrave vetanake nga viti 2024 në vitin 2025 dhe destinimin e tyre në kategori dhe programe të caktuara buxhetore, si dhe tre propozime të veçanta për shtim të buxhetit me kode të reja për projektet: “Furnizim për projektin e shpezëtarisë”, “Furnizim për pemëtari” dhe “Furnizim me pajisje për bletë”.
Gjithashtu në këtë mbledhje u diskutua raporti financiar vjetor për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2024, si dhe raporti financiar për periudhën janar-mars 2025. Gjatë shqyrtimit të këtyre raporteve, drejtori për Buxhet dhe Financa, z. Fatlum Osmani, dha përgjigje për të gjitha çështjet dhe pyetjet e ngritura nga asamblistët.
Ndër pikat tjera të rëndësishme të miratuara ishin: Propozim-vendimi për këmbimin e pronës së paluajtshme komunale me atë në pronësi të z. Ismet (Muharrem) Bulliqi.
Propozim-vendimi për ndryshim dhe plotësim të përbërjes së Komitetit për Politikë dhe Financa, pas dorëheqjes së znj. Drita Pajaziti. Në vend të saj, në këtë Komitet u zgjedh asamblisti Xhevdet Maloku nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Për shkak të mungesës së kuorumit, gjatë shqyrtimit të pikës për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale Ndërmarrjes Publike Lokale “Eko Llapi” Sh.A, seanca u ndërpre. Kryesuesi i Kuvendit, z. Hilmi Hoxha, njoftoi se punimet e mbledhjes do të vazhdojnë të martën.
18.04.2025, Podujevë
Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim