Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, po vepron sipas skenarit të partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka kërkuar që të respektohen procedurat siç parashihet nga Kushtetuta e Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Abdixhiku theksoi se LDK-ja është e gatshme për konsultime, siç ka shpallur presidentja, por nuk ka nguruar të shprehte pakënaqësinë për situatën aktuale. Sipas tij, është e papranueshme që deri tani të ndodhin këto zhvillime.
“Është me interes kombëtar që institucionet e Kosovës të formohen e të nis betimi i deputetëve. Ftoj të respektohet Kushtetuta dhe procedura. Shpresoj që kryesuesi i kësaj seance, që rastis të jetë më i vjetri e që rastis të jetë nga partia e parë, të respektoj skenarin e Sekretariatit të Kuvendit e jo skenarin e partisë. Nëse në Kuvend veprojmë me skenarë të partisë, kemi thyer rendin kushtetues. Ka një skenar të përgatitur nga Kuvendit të cilin ne e respektojmë”.
Në lidhje me verifikimin e mandateve, Abdixhiku ka njoftuar se LDK-ja do të votojë kundër raportit për verifikimin e mandateve derisa qeveritarët nuk dorëzojnë dorëheqjet e tyre.
“Nëse ata janë të bindur se gjithçka është në rregull le të votojnë. Ne jemi të bindur se është antikushtetuese. Ne do të votojmë kundër. Ne nuk jemi kundër mandateve tona. Janë 105 deputetë me mandate të rregullta, janë vetëm 15 që nuk duhet t’u verifikohet mandati sepse nuk kanë dhënë dorëheqje”.