Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar besimtarët e krishterë për festën e Pashkëve, duke përcjellë mesazhe shprese, bashkimi e reflektimi, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se kjo ditë është më shumë se një festë fetare, duke theksuar rëndësinë që ka në jetët tona si një moment për të reflektuar dhe për të rilindur shpirtërisht.
“Ta duam njëri-tjetrin dhe atdheun në pambarim. Ta kemi shpresën të madhe sa dëshirat. Ta mbrojmë dritën siç e mbrojmë veten. Ta përmbushim sprovën e të qenit njerëz me besim e me virtytin e të mirës”, ka shkruar tutje Kurti.
Ai ka vlerësuar se kjo festë i bashkon të gjithë besimtarët dhe sjell me vete mesazhe për paqe, dashuri e ndihmë ndaj njëri-tjetrit.
Postimi i plotë:
Gëzuar Pashkët për të gjithë besimtarët e krishterë!
Këtë vit Pashkët i festojnë bashkë në të njëjtën datë besimtarët katolikë, ortodoksë e protestantë në të gjithë botën, e bashkë me ta edhe besimtarët shqiptarë kudo ku jetojnë.
E diela e Pashkës është dita më e madhe që kremtohet në çdo shtëpi besimtari, në çdo altar kishe prej 2025 vitesh, çdo vit. Është më shumë se një festë, është një ftesë për reflektim, rilindje dhe shpresë. Kjo ditë na e sjell pranë mendjes e shpirtit dritën, dashurinë dhe ripërtëritjen.
Ta duam njëri-tjetrin dhe atdheun në pambarim. Ta kemi shpresën të madhe sa dëshirat. Ta mbrojmë dritën siç e mbrojmë veten. Ta përmbushim sprovën e të qenit njerëz me besim e me virtytin e të mirës.
Qoftë kjo festë e Pashkëve e mbarë për të gjithë, për familjet e besimtarëve, për shqiptarët që mbrëmë i ndezën dritat e besimit në kishë, e sot kremtojnë në familjet e tyre.
Na bëftë të fuqishëm me durimin për mundimet, për betejën me të padrejtën, për vështirësinë e ndryshme ashtu që ta ndihmojmë përherë njëri-tjetrin me plot dashuri.
Qofshin lutjet e kësaj dite e mira që përhapet midis nesh!