Mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës ka arrestuar shtatë persona të dyshuar për “planifikimin dhe kryerjen e vrasjes” së rreshterit Muhamed Lika në Kaçanik.
Burime të IndeksOnline, të afërta me hetimet, kanë konfirmuar ekskluzivisht se personat e arrestuar janë:
Rejan Bela, Haki Bela, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka, Rilind Murati, Diamant Gashi dhe Vatan Qaka.
I dyshuari kryesor për vrasjen e rreshterit është Rejan Bela, 18-vjeç, i cili dyshohet se e ka kryer krimin në moshën 17-vjeçare. Ndërkohë, sipas burimeve të IndeksOnline, organizatori i këtij grupi ekstremist është vëllai i tij, Haki Bela.
Në mesin e të arrestuarve janë edhe një ish-polic dhe një ish-pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët kishin braktisur detyrat e tyre për t’iu bashkuar grupit.
Në një konferencë për media të mbajtur në Ferizaj, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, thanë se motivet e mundshme të kësaj vrasjeje lidhen me “punën e viktimës si zyrtar policor”.
Hetimet dhe bastisjet në lidhje me rastin janë ende në vijim. Policia dhe prokuroria kanë sekuestruar dëshmi të shumta që pritet të ndihmojnë në dokumentimin e plotë të këtij rasti të rëndë kriminal./IndeksOnline/