Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë publike raportet e paaudituara financiare të partive politike për fushatën zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Në mesin e këtyre raporteve është edhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas të dhënave të raportuara, LDK ka shpenzuar gjithsej 358,515.77 euro gjatë fushatës zgjedhore. Këto shpenzime përfshijnë kosto për paga dhe kompensime, transport, reklama, reprezentacion, konferenca, blerje të mallrave, si dhe shpenzime të përgjithshme e të ndryshme.
Nga kjo shumë, vetëm 86,323.53 euro janë paguar në të holla, ndërsa pjesa tjetër ka mbetur e papërmbushur financiarisht. KQZ konfirmon se LDK ka ende një borxh të papaguar prej 272,192.24 euro.
Raportet e publikuara janë ende në pritje të auditimit zyrtar dhe mund të ndryshojnë pas verifikimeve të thelluara nga auditorët e pavarur financiarë.