Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, në emisionin “Click” në RTV21 komentoi deklaratën e kryeministrit Kurti në lidhje me koalicionin me LDK-në.
Mustafa tha se LDK ka deklaruar se preferencat e saj kësaj radhe nuk janë për koalicion me Vetëvendosjen.
“Ka të bëjë me polarizimin. Ne që jemi në politikë jemi pajtuar që të trashemi lëkurën dhe të durojmë edhe fyerjet më të rënda, por jo që kjo të bëhet edhe drejtuar votuesve, atyre që përkrahin LDK-në. Nuk ka të bëjë vetëm me këtë, por edhe me polarizimin e skajshëm që Lëvizja Vetëvendosje, në krye me Albin Kurtin, e ka zvarritur në gjithë shoqërinë kosovare, skenën politike dhe, natyrisht, edhe Kosovën në raport me ndërkombëtarët. Pra, është një polarizim i skajshëm që duhet të tejkalohet sa më parë. Fatkeqësisht, zoti Kurti dhe partia e tij shihen qartazi edhe në këtë kohë kur i ofrojnë LDK-së koalicion, por vazhdojnë me gjuhë që e akuzon LDK-në për koordinim me Listën Serbe. Me njërën dorë të zgjat një koalicion të mundshëm e me tjetrën të ofendon dhe fyen, duke thënë se po bashkëpunon me Listën Serbe. Zoti Kurti është i pareformuar – ai dhe partia e tij, sa i përket mospolarizimit të shoqërisë kosovare”, tha Mustafa./21Media