Mbi 50 organizata të shoqërisë civile kanë kërkuar që Kuvendi të mos “mbahet peng”, në një reagim të përbashkët në të cilin u tha se “bllokada institucionale po e cenon rendin demokratik”.
Ndërsa e konsiderojnë të “domosdoshëm” aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, OJQ-të thonë se ajo “theksoi se kjo procedurë është e sanksionuar nga Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit, dhe praktikat parlamentare të konsoliduara ndër vite – dhe çdo devijim nga to përbën shkelje të rendit kushtetues”.
“Gjykata theksoi se partia fituese e zgjedhjeve ka të drejtë të propozojë kandidatin për Kryetar të Kuvendit, por kjo e drejtë nuk është absolute – ajo është e lidhur ngushtë me detyrimin për të ndërtuar shumicë përmes bashkëpunimit me grupet tjera parlamentare”, thuhet në ragim.
Kryesuesi i seancë konstituive të Kuvendit, Avni Dehari “ka devijuar nga rendi i dakorduar, ka shtyrë procedurat, ka propozuar një komision për votim të fshehtë pa bazë ligjore dhe ka lejuar përbërjen e tij pa përfaqësim adekuat të partive të tjera parlamentare”, thonë organizatat e shoqërisë civile.
“Kjo përbën një ndërhyrje të papranueshme në procedurën e konstituimit të Kuvendit, si dhe është cenuar parimi i përfaqësimit të drejtë parlamentar, duke e shndërruar këtë proces në një veprim njëpartiak dhe jo-konsensual”, thuhet në reagim.