Hetimet për aferën e Rezervës Shtetërore pritet të marrin epilog final brenda dy javëve të ardhshme.
Rasti, i cili po hetohet tash e gati dy vjet nga Prokuroria Speciale, do të rezultojë me aktakuzë ndaj ministres në detyrë të Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka mësuar Paparaci nga burime të informuara mbi hetimet.
Burimet i thanë Paparacit se aktakuza finale për aferën e keqpërdorimeve me Rezervën Shtetërore, është planifikuar të dërgohet në gjykatë brenda muajit korrik.
Aktakuza pritet t’i ngarkojë penalisht, përveç ministres Hajdari, edhe afaristin Ridvan Muharremi dhe dy zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë, Irfan Lipovica e Hafiz Gara. Ata dyshohen për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe dhënies së ndihmës në kryerjen e veprës penale ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare’.
Në prag të finalizimit të aktakuzës, prokurorët specialë e kanë intervistuar të mërkurën drejtorin e Divizionit për Rezerva Shtetërore të Mallrave, Hafiz Garën.
Gara është marrë në pyetje nën dyshimet se ka nxjerrë programin dhe specifikat e Rezervave Shtetërore dhe ia ka dërguar Ridvan Muharremit, që në bazë të të dhënave që kishte siguruar kishte kryer edhe negociatat me kompanitë turke e polake për blerjen e grurit, vajit dhe sheqerit
Pas intervistimit, Gara dhe avokati i tij Nazim Mehmeti janë parë duke e lënë objektin e Prokurorisë Speciale në Prishtinë. Asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të prononcohet për Paparacin, me arsyetimin se “rasti është i ndjeshëm”.
Afera e Rezervës Shtetërore, e cila doli në pah pas raportimit në media në vitin 2023, zbuloi përfshirjen e ministres Hajdari dhe zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Tregtisë në keqpërdorime në procesin e blerjes së rezervave shtetërore.
Rreth 52.5 ton grurë të destinuara për Rezervat Shtetërore të Mallrave nuk erdhën kurrë.
Për këtë tender ishin kontraktuar kompani turke e polake me ndërmjetësimin e afaristit Ridvan Muharremi, një njeriu të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Dëmi kryesor që iu shkaktuar buxhetit të shtetit dyshohet se është blerja e mallit në një vlerë mbi 5 milionë euro më shtrenjtë sesa vlera e çmimeve të tyre në treg. Kjo është konstatuar nga një ekspertizë e Prokurorisë Speciale.
Për të njëjtin rast, kryeministri Albin Kurti është urdhëruar nga Gjykata e Prishtinës të paraqitet për t’u marrë në pyetje, por ai ka refuzuar të paraqitet në Prokurorinë Speciale. Për këtë refuzim të dëshmisë, ai është dënuar me gjobë 250 euro nga gjykata.