Analisti politik, Shemsi Jashari, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti, janë të vetëdijshëm se pa një marrëveshje politike nuk mund të sigurohen votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Në një intervistë për “Edicionin Special” në Klan Kosova, të premtën Jashari tha se dështimi i radhës për konstituimin e Parlamentit nuk ishte i rastësishëm.
“Sipas meje, ky është një dështim i planifikuar nga Vetëvendosje. Që nga fillimi është parë mungesë vullneti për ndërtimin e institucioneve. Edhe propozimi i Hekuran Muratit është vetëm një hap në zbatimin e qëndrimit të VV-së për të mbajtur peng institucionet,” u shpreh ai.
Tutje Jashari theksoi se Kurti dhe partia e tij e dinë qartë se numrat nuk sigurohen pa marrëveshje politike, duke shtuar se Vetëvendosje po keqpërdor besimin e qytetarëve.