Policia e Kosovës ka marrë pjesë në Konferencën e 39-të Ndërkombëtare për Zbatimin e Ligjit kundër Drogave (IDEC), të mbajtur në Nashville, Tennessee, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një njoftim, Policia tha se nga 28 deri më 28 gusht, mori pjesë në këtë ngjarje “me mbështetjen dhe koordinimin e Programit Ndërkombëtar të Ndihmës për Trajnim në Hetimet Penale të Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së (DOJ-ICITAP) dhe zyrës së Administratës për Zbatimin e Ligjit kundër Drogave (DEA) në Athinë”.
“Përfaqësues i Policisë së Kosovës ishte z. Reshat Murseli, Drejtor i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve (DHTN), dhe tre anëtarë të ekipit të tij hetimor. Pjesëmarrja e tyre u bë e mundur nëpërmjet mbështetjes së vazhdueshme të ICITAP, Ekipit të DEA-s në Athinë, dhe në partneritet me Ambasadën e SHBA-së në Pristinë dhe Byronë e Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL), ndihma e së cilës ka qenë instrumentale në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të zbatimit të ligjit në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Tutje në këtë njoftim bëhet e ditur se në këtë konferencë ku u mblodhën zyrtarë të lartë nga mbi 130 vende, u adresuan kërcënime globale lidhur me disa çështje.
“Me temën “Uniteti Global për një të Ardhme më të Sigurt: Forcimi i Aleancave Kundër Krimit Transnacional”, konferenca mblodhi së bashku zyrtarë të lartë nga mbi 130 vende. Pjesëmarrësit adresuan kërcënimet globale në zhvillim për drogat sintetike, qarkullimi i paligjshëm financiar dhe sfidat më të gjera të krimit të organizuar transnacional”.
Gjatë konferencës, Policia tha se “delegacioni i Kosovës u takua me Administratorin e DEA-s, z. Terrance Cole, dhe ata diskutuan profesionalizmin dhe rolin në rritje të Policisë së Kosovës në bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar lidhur me sigurinë”.
“Të dyja palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm në luftën kundër narkotikëve dhe rrjeteve të krimit të organizuar”.
Policia e Kosovës thotë se mbetet “fort e përkushtuar ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar në zbatim të ligjit dhe shpreh mirënjohje të thellë ndaj DOJ-ICITAP, INL dhe Ambasadës së SHBA-së në Prishtina për mbështetjen e tyre të palëkundur në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe më të qëndrueshme”.