Një banor i fshatit Bllacë të Suharekës ka raportuar në Policinë e Kosovës se në pronën e tij kanë hyrë tre arinj, të cilët kanë dëmtuar rreth 35 kosherë bletësh.
Sipas deklaratës së qytetarit, arinjtë disa ditë më parë kanë dëmtuar edhe një varrezë në të njëjtin fshat. Ai ka shprehur shqetësimin se prania e arinjve mund të paraqesë rrezik edhe për bagëtitë dhe për njerëzit.
Pas konsultimit me prokurorin kompetent, është vendosur që policia të mbajë shënim rastin dhe të paralajmërojë qytetarët të jenë të kujdesshëm, veçanërisht gjatë lëvizjes në zonat e pyllëzuara ose pranë vendbanimeve ku mund të shfaqen kafshë të egra.







