Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se për shkak të problemeve me internet, procesi i numërimit të votave nuk ka nisur në në tri qendra komuna të numërimit (QKN): në Prishtinë, Podujevë dhe Kllokot.
Këtë problem e sqaroi edhe zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, një ditë më parë, kur tha se problemi qëndron se “transmetimi i pamjeve në televizorët/ekranet për vëzguesit”.
“Në këto ekrane shfaqen pamjet nga kamera e vendosur në tavolinën e numërimit ku prezantohen fletëvotimet, për tu parë nga të gjithë”, shkroi ai në llogarinë e tij në Facebook.
Ndërkohë, numërimi është duke vazhduar në qendrat e tjera, përveç në Han të Elezit, ku numërimi dhe verifikimi u përmbyll të hënën në mbrëmje.
Sipas të dhënave të KQZ-së, deri tani janë verifikuar rezutlatet për kryetarë të komunave, verifikuar rezultatet e subjekteve politike për kuvende komunale dhe numëruar votat për anëtarë të kuvendeve komunale.
Votat me kusht dhe ato të diasporës nuk janë numëruar ende.
Sipas të dhënave preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në 21 komuna, gara zgjedhore përfundoi në rundin e parë, ndërsa në 17 të tjera do të zhvillohet balotazh.
Pas zgjedhjeve parlamentare të këtij viti, që u mbajtën më 9 shkurt, KQZ-ja kishte marrë kritika të shumta për procesin, pasi që uebfaqja ku publikoheshin rezultatet nuk funksiononte.
Vonesat në fillimin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe problemet e njëpasnjëshme me faqen e KQZ-së, softueri i së cilës për raportimin e rezultateve binte nga sistemi vazhdimisht, kishin ngritur dyshime për integritetin e procesit zgjedhor.
Por, KQZ-ja i kishte hedhur poshtë dyshimet e ngritura rreth procesit zgjedhor, duke thënë se “integriteti i votës nuk është i cenuar”.
Këtë herë uebfaqja e KQZ-së nuk është përballur me probleme, mirëpo në disa qendra komunale të numërimit ka pasur probleme me lidhjen e internetit.