Kryetari i PDK-së Bedri Hamza, ka mbajtur mbledhjen e parë të Kryesisë së partisë, pasi mori detyrën e kryetarit të kësaj partie. Ai tha se kjo parti është e gatshme për zgjedhje. Sa i përket Drenasit, tha se PDK do të jetë unike edhe në bastionin e saj dhe se ‘Ramiz Lladrovci nuk është i përjashtuar nga partia”…
“Ne diskutuam tema shumë të rëndësishme në kryesi që kanë të bëjnë me aktualitetin politik dhe mobilizimin për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ne jemi mirë të organizuar si parti edhe në nivel qendror edhe të degëve. Garojmë me prioritet e me program të qartë, me ekip të mirë, do të jetë një listë reprezentuese me vajza, djem burra e gra që premtojnë sukses të plotë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Më 28 dhjetor, është mirë që do të jetë një numër më i madh i diasporës në Kosovë, është mirë, janë kontribues të mëdhenj në zhvilllimin ekonomik të Kosovës dhe jam i sigurt se do ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre me votu”, ka thënë Hamza në konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë.
Ai ka thënë se PDK ka prioritete dhe program të qartë.
“Pres të kemi zgjedhje mirë të organizuara. Si PDK do të kontribojmë të ketë fushatë korrekte, me gjuhë të zgjedhur, me program dhe mundësisht secili prej nesh, me kontribuu në depolarizimin e skenës politike në Kosovë.
Kemi prioriete të qarta, cmimet po lëvizin, standardi i jetesës po rëndohet. Kemi zbrazje të madhe të vendit sidomos nga gjeneratat e reja dhe nëse humbim resurset njerëzore, zvogëlohet perspektiva jonë.
Kemi suspsendimin e Dialogut Strategjik, kemi masa ndëshkuese”, tha Hamza.
Sa i përket situatës në RTK, Hamza deklaroi se nëse ka vullnet, ka mundësi të zgjidhet edhe kjo çështje.
“Ka mundësi edhe ligjore për pagat në RTK, nëse kanë vullnet”, tha ai.
Hamza ka ripërsëritur edhe një herë, se partia e tij nuk ka vija të kuqe për asnjë parti politike, por thotë se ‘më të preferueshme janë partitë e ish-opozitës’.
“Sa i përket vijave të kuqe, për ne është më e preferueshme, më afër bindjeve tona politike të jemi bashkë me partitë që kemi qenë në të kaluarën herë në pushtet, herë në opozitë”, tha Hamza.
Hamza: Do të jemi unik edhe në Drenas, Lladrovci ‘është PDK’
Kryetari i PDK-së Bedri Hamza, ka thënë se beson që kjo parti do të jetë unike edhe në Drenas.
Kështu deklaroi Hamza pas takimit të Kryesisë së kësaj partie.
“Edhe në të kaluarën kam deklaru se në Drenas, në mënyrë masive votojnë për PDK-në. Në zgjedhje lokale gjithmonë ka pasë gara, por kur janë zgjedhjet qendrore, PDK do të jetë unike, e bashkuar dhe për këtë jam i sigurt.
Sigurisht se do ta maksimalizojmë votën në Drenas, ku është një prej bastioneve tona.
Të gjitha këto tema diskutohen edhe në kryesi. E kam bë publike që jam taku me zotin Lladrovci. Ai vetë është deklaruar se ‘jam PDK’, prandaj pjesa dërrmuese e qytetarëve të Drenasit janë PDK”, deklaroi Hamza.
I pyetur se cili është qëndrimi i Kryesisë së PDK-së rreth ‘rikthimit’ të Lladrovcit në parti, Hamza tha se ‘nuk ka vendim që Lladrovci është përjashtuar nga partia’.
“Unë nuk kam pa vendim që Ramiz Lladrovci është i përjashtuar nga PDK”, tha ai.







